Pothuajse të gjitha vatrat e zjarrit në vend janë nën kontroll

  • E.K /
  • 07 August 2021 - 12:14
 Pothuajse të gjitha vatrat e zjarrit në vend janë nën kontroll

Thuajse të gjitha vatrat e zjarrit në Kosovë janë vënë nën kontroll. Kështu njofton ministria e mbrojtjes, që saktëson se ekipet zjarrfikëse, ushtria dhe mbrojtja civile mbesin në gjendje gatishmërie për të menaxhuar situatat emergjente.

Fokusi kryesor është në mbrojtjen e jetës njerëzore. Forcat e Sigurisë së Kosovës përqendrimin e kanë në Bjeshkët e Nemuna në Rugovë, ku luftojnë vatrën më të madhe të zjarrit.

“Vatra të zjarrit kryesisht edhe pasi të fiken riaktivizohen dhe rindizen për shkak të erërave që janë duke vazhduar dhe normal motit të nxehtë. E kemi nën menaxhim dhe kontroll të plot gjendjen”, tha Ejup Maqedonci, shef i operacioneve.

Ushtarët e angazhuar në shuarjen e zjarreve janë të shumtë, edhe pse FSK është reaguesi i tretë institucional në situate të tilla.

“FSK ka operuar gjatë këtyre ditëve me kapacitetet që i ka për gatishmëri që nënkupton përafërsisht gjatë gjithë kohës kemi pasur rreth 100 vetë të angazhuar në terren për këto operacione”.

Qëllimi është që të ndihmohet popullata civile në mënyrë sa më efikase.

“Gjatë gjithë kohës pjesëtarët e FSK-së kanë qëndruar në teren, pra kanë qëndruar afër vatrave të zjarrit dhe kanë mbajtur nën kontroll në njëfarë forme ato vatra zjarri, fokus kryesor yni ka qenë shpëtimi i jetës së njerëzve dhe minimizimi i pasojave që mund te shkaktohen nga zjarret”. Në ndihmë të zjarrfikësve dhe ushtrisë ka ardhur edhe KFOR-i, që ka ndërhyrë përmes helikopterëve duke lëshuar ujë mbi vatrat e zjarrit.

(Kosova Sot Online)