Sveçla fotografi me pamje nga zjarri në Kalimash, thotë se e pa në sy të zjarrfikësve dashurinë për Shqipërinë

  • E.K /
  • 10 August 2021 - 12:45
 Sveçla fotografi me pamje nga zjarri në Kalimash, thotë se e pa në sy të zjarrfikësve dashurinë për Shqipërinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një fotografi të realizuar mbrëmë, pranë tunelit të Kalimashit, atje ku pati zjarr masiv në majën e Rrunës.

Ministri Sveçla në këtë fotografi u pa i shoqëruar nga një grup zjarrfikësish që shkuan për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në shuarjen e vatrave të zjarrit.

“Në sytë e tyre pashë vullnet e dashuri për Shqipërinë. Bashkë do i tejkalojmë të gjitha sfidat”, thuhet në postimin e tij.

Ndërsa sot, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka publikuar pamje nga intervenimi i Forcave të sigurisë së Kosovës dhe zjarrfikësve të Kosovës gjatë shuarjes së zjarreve në Kukës.

Përmes një postimi në Facebook, Gjici ka falënderuar kosovarët për ndihmën e ofruar.

 “Faleminderit nga zemra vëllezërve tanë kosovar që në ditët më të vështira u gjendën pranë nesh”, shkruan Gjici.

Tutje, ai ka njoftuar se po vazhdon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit.

“Vazhdon pa ndërprerë operacioni i shuarjes së vatrave të zjarrit, në majën e Rrunës. Ku po bëhet e pamundura për shuarjen e kësaj vatre të rrezikshme. Faleminderit nga zemra vëllezërve tanë kosovar që në ditët më të vështira u gjendën pranë nesh. Vazhdon puna pa ndërprerë në terren”, shkruan ai.

(Kosova Sot Online)