Harta e NASA-s zbardh situatën me zjarret në Shqipëri

  • E.K /
  • 10 August 2021 - 14:57
 Harta e NASA-s zbardh situatën me zjarret në Shqipëri

Gjatë tre javëve të fundit Shqipëria është përballur me një numër të madh zjarresh, nga jugu në veri duke djegur hapësira të mëdha pyjesh dhe shkurresh në të gjithë vendin.

Fillimisht zjarret nisën rrezikshëm në zonën e Karaburunit në Vlorë, ndërsa vatra u zgjerua duke detyruar autoritetet që të ndërhyjnë edhe me helikopter.

Por si ndryshoi situata me zjarret në vend dhe ku ishin ato me intensive?

Një hartë satelitore e përditësuar nga NASA tregon se vatra më problematike fillimisht ishte ajo e Karaburunit duke djegur dhjetra hektarë pyje dhe shkurre.

Zjarret në Karaburun dhe zonat malore përreth filluan nga fundi i Korrikut duke ardhur në tkurrje gjatë fillimit të gushtit.

Ndërkohë, zjarri në fshatrat e Gjirokastrës nuk duket të ketë qenë me një intensitet të madh, megjithatë aty u shënua edhe viktima e parë nga flakët në Shqipëri.

Me kalimin e ditëve, pikërisht në datat 6-7 gusht në hartë shfaqet një njollë  e madhe e kuqe në zonën e Korçës, ku aty flakët po ashtu dogjën hapësira të mëdha.

Situata më e rrezikshme fillon në datat 8-9 gusht në veri të vendit, fillimisht në malin ku ndodhet tuneli i Kalimashit si edhe në zonat përreth Kukësit.

Sipas hartës së NASA-s vatrat vijojnë të jenë aktive edhe tani, ndërsa autoritetet vendase konfirmojnë vënien e tyre nën kontroll. /abcnews.al

(Kosova Sot Online)