
Lexoni edhe:
Kryetari i Kukësit mohon ndihmën: Kur erdhën forcat e Kosovës, ne e kishim fikur zjarrin
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka thënë se aktualisht janë tri vatra zjarri në këtë qytet të Shqipërisë, dhe se po tentojnë që përmes helikopterëve ta bëjnë shuarjen e zjarrit në këto vatra.
Ai tha se tek malet në “Rrugën e Kombit”, zjarri tashmë është fikur.
“Ne jemi në malet e Kukësit. Zjarrin e fikëm dhe tani i kemi disa vatra të tjera, sepse zjarri tek tuneli është fikur. Zjarri që ishte tek malet e ‘Rrugës së Kombit’, i kemi fikur. Tashmë jemi në një pozicion që nuk ka më zjarre. Në tre lokacione të tjera, janë aktive vatrat e zjarrit, prej gati pesë ditësh dhe kemi ndërhyrje sot edhe me helikopterë. Është terreni tejmase i vështirë dhe vetëm nga ajri po mundohemi që ta lokalizojmë zjarrin dhe ta fikim”, tha Gjici.
Gjici më tutje konfirmoi se “Rruga e Kombit” është e kalueshme dhe se më nuk ka rrezik nga zjarret.
“Nuk ka rrezik tashmë. Tuneli i Kalimashit është i kalueshëm. Zjarri është shuar totalisht. Tashme s’ka asnjë problem për ta kaluar Tunelin e Kalimashit. Tri vatrat janë shumë larg nga Tuneli dhe nuk paraqesin rrezik”, ka thënë ai.
“Pa diskutim unë dua që të falënderojë të gjithë forcat e zjarrfikësve të Kosovës por edhe FSK-në për gatishmërinë që treguan. Falënderoje ministrin e Brendshëm që ishte mbrëmë tek tuneli, falënderoj edhe ministrin e Mbrojtjes që ishte sot dhe i vizitoi forcat në terren. Por, siç thashë edhe më herët edhe forcat zjarrfikëse shqiptare dhe ato të Kosovës nuk kanë çfarë të bëjnë me këto tri vatra aktive sepse nevojitet vetëm ndërhyrja nga ajri”, ka thënë ai.
(Kosova Sot Online)