OKB-ja ua kërkonte Emirateve lirimin, Princesha Latifa shihet në shtetin evropian

  • E.K /
  • 11 August 2021 - 11:28
 OKB-ja ua kërkonte Emirateve lirimin, Princesha Latifa shihet në shtetin evropian

Është mbyllur fushata për ta kërkuar lirimin e vajzës së udhëheqësit të Dubait, pasi ajo u pa në një fotografi të bërë në Islandë.

Fotografia e publikuar në Instagram të hënën nga mikesha e saj, Sioned Taylor, e shfaq Princeshën Latifa afër zonjës Taylor dhe të afërmit të saj, Marcus Essabri.

Essabri tha se patën një ribashkim emocionues në Islandë në një deklaratë të publikuar nga fushata “Free“Latifa”.

Ai shtoi: “Ndihem i bekuar që m’u dha rasti të kaloj kohë me të. Ishte mirë që ta shoh atë aq të lumtur, të shëndoshë dhe të përqendruar në planet e veta”, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.

“Pas takimit mes Marcus-it dhe Latifa-s në Islandë, është vendosur që hapi më i duhur është që të mbyllet fushata Free Latifa”, thuhet në deklaratë.

Më herët këtë vit, televizioni BBC publikoi pamje të incizuara në mënyrë sekrete nga princesha, në të cilën ajo thoshte se po mbahet peng në një vilë që është shndërruar në burg.

Pas publikimit të videos pati reagime të shumta ndërkombëtare. Rasti shkoi deri në Kombet e Bashkuara, të cilat i kishin kërkuar udhëheqësit të Dubait që të ofronte informata për të bijën, përfshirë argumentimin se ajo është gjallë.

(Kosova Sot Online)