Një person del nga vetura dhe e godet me kazmë veturën tjetër

  • E.K /
  • 11 August 2021 - 12:36
Një person del nga vetura dhe e godet me kazmë veturën tjetër

Policët në Uashington i janë përgjigjur një raportimi për përleshje në rrugë, me ç’rast i dyshuari goditi një veturë me kazmë. Ngjarja ndodhi më 27 korrik në King County të Uashingtonit.

Një vozitës i veturës Jeep filloi t’i binte borisë për t’ia tërhequr vërejtejn vozitësit në veturën tjetër përderisa të dy veturat ishin në të njëjtën rrugë dhe po lëviznin në të njëjtin drejtim, shkruan Fox News.

Raportet thonë se viktima zgjodhi një dalje tjetër të rrugës për ta shmangur përballjen me vozitësin që e ngacmonte me rënie të borisë, por vetura Jeep e ndoqi dhe më në fund ia preu rrugën për t’ia bllokuar qarkullimin.

Në video shihet se si i dyshuari, pasi e ndal veturën, del shpejt prej saj dhe papritmas sulmon me një kazmë me bisht të shkurtër. Kazma e godet xhamin e veturës tjetër.

Policia arriti që ta identifikonte të dyshuarin dhe ai u arrestua tri ditë pas incidentit. Autoritetet thanë se i dyshuari e kërcënoi vozitësin tjetër dhe përdori fyerje raciste.

I dyshuari ishte i kërkuar edhe më herët nga policia për disa shkelje, si krime të urrejtjes dhe vjedhje.

(Kosova Sot Online)