Laraska i shkakton vdekjen foshnjes 5-muajshe

  • E.K /
  • 11 August 2021 - 14:39
 Laraska i shkakton vdekjen foshnjes 5-muajshe

Një vajzë 5-muajshe ndërroi jetë tragjikisht pasi u sulmua nga një laraskë agresive.

Prindërit e vajzës kishin dalë për një shëtitje në një park në Brisbane në Australi, kur një laraskë iu drejtua për t’i sulmuar.

Në përpjekje për të mbrojtur foshnjen që mbante në krahë, nëna u pengua dhe u rrëzua, çka i shkaktoi fëmijës plagë të rënda në kokë.

Pavarësisht se ajo u dërgua menjëherë në spital, nuk ia doli mbanë dhe ndërroi jetë, duke i shkaktuar një hidhërim të papërshkrueshëm prindërve të saj.

Sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, “aksidenti ishte përtej çdo gjëje që kishin parë”. Një nënë tjetër që gjendej në park, tha se e njëjta laraskë kishte sulmuar edhe fëmijët e saj duke i lënë plagë të  përgjakura në faqe, edhe pse mbanin helmeta.

Laraska u kap nga autoritetet dhe u transferua nga parku. Gjatë këtij sezoni nga Gushti-Nëntor, laraskat meshkuj zhvillojnë këtë sjellje agresive për shkak të sezonit të çiftëzimit dhe ruajtjes së vezëve pasi kërkojnë të mbrojnë të vegjlit derisa të lindin, duke u bërë shkak i sulmeve të shumta edhe ndaj njerëzve.

(Kosova Sot Online)