OBSH drejt testimit të tre ilaçeve të cilat mund të trajtojnë Covid-19

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 12:31
 OBSH drejt testimit të tre ilaçeve të cilat mund të trajtojnë Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha se do të fillonin testimin në masë të 3 medikamenteve anti-inflamatore për trajtimin e mundshëm të Covid-19. Hulumtimi do të bëhet në 52 vende të botës dhe do të përfshijë mijëra studiues në mbi 600 spitale.

“Sot jemi të lumtur të njoftojmë fazën e ardhshme të eskperimentit të pagëzuar si Solidarity Plus. Do të testohen tre ilaçe, Artesunate që përdoret për trajtimin e malaries së rëndë, Imatinib, një medikament për disa lloje kanceri dhe Infliximab, për trajtimin e çrregullimeve të sistemit imunitar”, u shpreh kreu i OBSH’së.

OBSH-ja tha se këto ilaçe u zgjodhën nga një panel ekspertësh të pavarur pasi u mor parasysh potenciali i tyre në zvogëlimin e rrezikut të vdekjes të pacientëve të hospitalizuar me Covid-19.

Deri më tani, vetëm kortizonikët kanë treguar efektshmëri kundër formës së rëndë dhe kritike të Covid-19.

Hulumtimi do të bëhet përmes platformës “Solidarity PLUS”, rrjeti më i madh i OBSH-së për bashkëpunim midis vendeve anëtare.

Pas një studimi të terapive të mundshme për trajtimin e Covid-19, studiuesit që përdorin të njëjtën platformë të OBSH-së, vitin e kaluar, arritën në përfundimin se remdesiviri, hidroksiklorina, lopinaviri dhe interferoni, kishin pak, ose aspak efekt tek pacientët e shtruar në spital.

(Kosova Sot Online)