Si do përfitojnë familjet që humbën kryefamiljarin nga COVID-19

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 12:42
 Si do përfitojnë familjet që humbën kryefamiljarin nga COVID-19

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Sadiku, e ka pyetur Ministrin e Financave, Hekuran Muratit, se si do të bëhet kompensimi apo mbështetja kryefamiljarëve të humbur nga COVID-19

“Në masën 3 të quajtur mbështetja për familjet janë paraparë 50 milionë euro, dhe ato mjete ndahen për shtresa të cenueshme të shoqërisë. Në masën 3.1 e keni cekur që është paraparë mbështetje për familjet që kanë humbur kryefamiljarin, është në pyetje humbja e kryefamiljarit nga Covid-19 dhe vlera e kësaj mase ka qenë 4 milionë euro. Kanë vdekur më shumë se dy mijë qytetarë të Kosovës nga Covid-19, si do të jetë përfitimi i këtyre familjeve, në formë monetare apo formë tjetër”, e pyeti Sadiku, Muratin.

Ministri i Financave iu përgjigj deputetes së VV-së, duke i thënë se kompensimi apo mbështetja do të bëhet në mënyrë monetare dhe proporcionale për gjithë kryefamiljarët e humbur.

“Njësoj sikurse si gjitha masat tjera do të dalim edhe me operacionalizimin të edhe kësaj mase, kompensimi ose mbështetja do të jetë në mënyrë monetare dhe proporcionale për gjithë kryefamiljarët e humbur. Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrin e Shëndetësisë, kemi siguruar edhe listat e personave që kanë qene viktima nga Covid dhe do te hapet procesi i aplikimit në mënyrë që të mbështesim pak familjet që kanë humbur anëtarët e tyre”, tha Murati.

(Kosova Sot Online)