Opozita thonë se auditorja e zgjedhur është motra e këshilltares së Kurtit

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 13:48
 Opozita thonë se auditorja e zgjedhur është motra e këshilltares së Kurtit

Vlora Spanca është zgjedhur sot në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Kosovës me 67 vota për dhe me 9 vota kundër. Në këtë pozitë ajo erdhi me propozimin e presidentes Vjosa Osmani.

E në seancën ku u votua zgjedhja e saj në këtë pozitë, opozita nuk e mbështetën atë për shkak që siç thanë ata, Spanca është motra e njërës nga këshilltaret e kryeministrit Albin Kurti. Ajo është motra e këshilltares për media të kryeministrit, Valbona Mehmeti.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar që ky procesi duhet të kthehet në pikën zero, për arsye që sipas tij, ajo është motra e njërës nga këshilltaret e kryeministrit Albin Kurti.

Ai ka thënë se fakti që nga procesi janë tërhequr edhe njerëz kredibil, bën procesin jotransparent.

“Është një proces që kë shumë për të dëshiruar edhe faktin që personi që është rekomanduar sot që të votohet në Kuvendin e Kosovës është motra e njërës nga këshilltaret e kryeministrit të Republikës. Mendoj që një fakt i tillë e bënë të papranueshëm”, ka thënë Tahiri.

Në ndërkohë, deputeti Armend Zemaj ka thënë se fakti që motra e saj është në Zyrën e Kryeministrit, ajo nuk duhet të marrë pozitën e auditores, duke shtuar se një gjë e tillë do t’ia humbte kredibilitetin këtij institucioni.

(Kosova Sot Online)