KDI: Qeveria ka dështuar që ta përmbushë planin e saj legjislativ, puna e Kuvendit e ngadalshme

  • E.K /
  • 13 August 2021 - 11:51
 KDI: Qeveria ka dështuar që ta përmbushë planin e saj legjislativ, puna e Kuvendit e ngadalshme

Sesioni pranveror i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës po vlerësohet të ketë qenë i ngadalshëm dhe me probleme. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, ka vlerësuar se Kuvendi ishte më i suksesshëm në planin mbikëqyrës sesa në procesin legjislativ.

Hulumtuesja e KDI-së, Agnesa Haxhiu ka thënë sot se në këtë sesion kishte më shumë seanca të mbajtura sesa në sesionin pranveror të vitit të kaluar.

“KDI ka bërë monitorimin e punës së Kuvendit gjatë këtij sesioni pranveror, periudhë kjo që është karakterizuar me një numër të ngadaltë të punës në proces legjislativ por me performancë më të mirë në planin mbikëqyrës. Kuvendi i Kosovës në këtë sesion të punës ka shënuar një rritje të lehtë të numrit të përgjithshëm të seancave të mbajtura krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të legjislaturës së shtatë. Prej fillimit të kësaj legjislature janë mbajtur gjithsej 23 seanca, duke përfshirë edhe seancën konstitutive, prej të cilave 16 ishin të rregullta, 4 të jashtëzakonshme dhe 2 solemne. Në 134 raste seancat kanë vazhduar për një ditë tjetër, ndërkaq tri seanca nuk kanë arritur që të përmbyllen për shkak të mungesës së kuorumit për t’iu dhënë epilog katër pikave të mbetura nga këto seanca” tha ajo sot në një konferencë para gazetarëve.

Haxhiu foli edhe për problemet me të cilat është ballafaquar ky sesion. Ajo tha se edhe në këtë periudhë  të punës së Kuvendit, ngjashëm si me të kaluarën, deputetët kanë munguar në seanca.

“Një problematik që e ka përcjell këtë periudhë të punës së Kuvendit, ngjashëm si në të kaluarën, janë mungesat e shumta të deputetëve në seancë, veprime këto që padyshim kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punimeve plenare. Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi deri në fund të muajit korrik, deputetët kanë munguar plotë 414 herë”, deklaroi Haxhiu.

Problem tjetër, sipas Haxhiut është edhe numri i ulët i ligjeve të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Vetëm shtatë ligje janë miratuar në Kuvendin e Kosovës në periudhën prill-gusht.

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm shtatë sosh, Krahasuar me ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit janë proceduar 29 projektligje prej të cilave 7 janë miratuar , teksa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga Komisionet”, deklaroi Haxhiu.

Teksa, Qeveria ka arritur që vetëm 27 projektligje t’i procedojë në Kuvend për miratim.

“Qeveria ka dështuar që ta përmbushë planin e saj legjislativ duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara për periudhën prill-gusht”, ka thënë më tutje ajo.

Nga KDI-ja kanë thënë poashtu se procesi që e ka karakterizuar punën e Kuvendit gjatë këtij sesioni ka qenë shkarkimi i Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, që sipas KDI-së ka nxitur reagime dhe mospajtime në mes të pozitës dhe opozitës.

“Një proces tjetër që e ka karakterizuar sesionin pranveror ishte shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe shkarkimet individuale duke nxitur reagimin e shumicës parlamentare dhe opozitës. Pavarësisht këtyre mospajtimeve, Kuvendi ka arritur që me shumicë të votave të shkarkojë katër borde të katër institucioneve të pavarura”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë dje Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur seancën plenare për sesionin pranveror.

(Kosova Sot Online)