Ambasada Amerikane në Kosovë: Jemi në bisedime me Qeverinë se si Kosova mund t’i ndihmojë partnerët tanë në Afganistan

  • A.P /
  • 15 August 2021 - 14:59
Ambasada Amerikane në Kosovë: Jemi në bisedime me Qeverinë se si Kosova mund t’i ndihmojë partnerët tanë në Afganistan

Ambasada Amerikane në Kosovë, ka konfirmuar se është në bisedime me Qeverinë e Kosovës për strehimin e partnerëve amerikanë të cilët veprojnë në Afganistan, e që janë të rrezikuar për shkak të marrjes së kontrollit të shumë pjesëve të vendit nga talebanët.

Në një përgjigje me shkrim, Ambasada Amerikanë në Kosovë thotë se janë në bisedime me qeverinë për të parë se si Kosova mund të ndihmojë në këtë çështje.

“Ne mund të konfirmojmë se qeveria e Amerikës është në diskutime me qeverinë e Kosovës se si Kosova mund të ndihmojë partnerët amerikanë në Afganistan. Ne nuk kemi detaje të tjera për të dhënë, tani për tani. Për detaje shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Kosova është shprehur e gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që kanë nisur nga muaji korrik me autoritetet amerikane.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se çështjen po e trajtojnë me kujdes dhe siç thonë, gjithçka do të përmbyllet mirë.

“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka konfirmuar, Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit Albin Kurti.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pohuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet. Të cilit thotë se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin e saj.

Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë.

Tutje, Osmani thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, “ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë”.

(Kosova Sot Online)