Albright falenderon Kosovën që u tregua e gatshme t’i pranojë afganët

  • A.P /
  • 15 August 2021 - 17:54
Albright falenderon Kosovën që u tregua e gatshme t’i pranojë afganët

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka falënderuar shtetet që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e mijëra afganëve.

Albright përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka përmendur edhe Kosovën në mesin e shteteve që treguan gatishmëri për të ndihmuar në strehimin e afganëve.

“Ne duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull”, ka shkruar Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka folur për kërkesën e ShBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve, duke theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet. Ajo tha se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.

Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani.

Tutje, Osmani thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, “ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë”.

Ajo shprehet se askush më mirë sesa Kosova nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur.

E nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë se për këtë çështje janë në komunikim me ShBA-në që nga mesi i muajit korrik, duke theksuar se ShBA mbetet aleati kryesor i shtetit tonë.

“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka konfirmuar , Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, të dielën tha se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së amerikanëve.

“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, tha Rama ndër të tjera.

(Kosova Sot Online)