Valon Murati pas situatës në Afganistan: Duhet konsoliduar shteti i Kosovës, të punohet më afër me aleatët

  • E.K /
  • 16 August 2021 - 12:11
 Valon Murati pas situatës në Afganistan: Duhet konsoliduar shteti i Kosovës, të punohet më afër me aleatët

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar pas situatës në Afganistan, ku pas këtyre zhvillimeve shprehet se duhet konsoliduar shteti ynë dhe duhet shfrytëzuar dialogun me Serbinë për t’i zgjudhur problemet. Teksa thekson se dalja nga një status quo në planin ndërkombëtar dhe të raporteve me Serbinë është e domosdoshme.

Murati thekson se duhet forcuar unitetin e brendshëm, funksionalizuar shtetin e Kosovës, “sidomos duhet forcuar sundimin e ligjit, duhet rritur koordinimin me Tiranën dhe duhet punuar afër me aleatët tanë”.

Reagimi i tij i plotë:

Status quot janë të paqëndrueshme

Zhvillimet dramatike të këtyre ditëve në Afganistan, ato të paradokohshmet në Nagorni Karabah, e mbi të gjitha ndryshimet gjeopolitike me forcimin e Kinës dhe rikthimin e Rusisë si aktor global, dëshmojnë një gjë: status quot janë të paqëndrueshme. Duke i lexuar drejt këto zhvillime, në rastin tonë duhet ta kuptojmë se dalja nga një status quo në planin ndërkombëtar dhe të raporteve me Serbinë është e domosdoshme. Nuk ka rrugë tjetër në këtë drejtim veç të kuptuarit se duhet shfrytëzuar dialogun me Serbinë për t’i zgjidhur problemet e mbetura me të, përfshirë çështjen e Kosovës Lindore. Nuk duhet të frikësohemi nga dialogu, por duhet ta shfrytëzojmë atë për të mirën e përgjithshme. Krahas dhe në funksion edhe të dialogut dhe pozicionit tonë duhet forcuar unitetin e brendshëm, funksionalizuar shtetin e Kosovës, sidomos duhet forcuar sundimin e ligjit, duhet rritur koordinimin me Tiranën dhe duhet punuar afër me aleatët tanë. Krejt këto ndryshime gjeopolitike duhet të na bëjnë të vetëdijshëm që si hap të parë duhet konsoliduar shtetin e Kosovës. E si hap të dytë na duhet bashkimi (e jo përçarja) me Shqipërinë, jo vetëm si e drejtë historike por mbi të gjitha në funksion të rritjes së sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik në një botë që po ndryshon.

(Kosova Sot Online)