Gjenden para të falsifikuara në Prishtinë e Lipjan

  • A.P /
  • 17 August 2021 - 10:50
Gjenden para të falsifikuara në Prishtinë e Lipjan

Dy persona nga Prishtina dhe një nga Lipjani, kanë raportuar në polici se kanë hasur në para të falsifikuara.

Një shtetas i huaj, ka raportuar në polici se nga persona të ndryshëm, kur janë bërë pagesat për ofrimin e shërbimeve të ndryshme nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, e deri më 16 gusht të ëktij viti, është vërejtur se një shumë e parave prej 50 eurove, në monedha nga 2 euro, dyshohet të jenë të falsifikuara.

“Ankuesi mashkull shtetas i huaj, ka raportuar se nga persona të ndryshëm kur janë bërë pagesa për ofrimin e shërbimeve të ndryshme, nga muaj dhjetor i vitit 2020 deri me datën 16.08.2021 janë vërejtur se një shumë e parave prej 50 euro në monedha metalike nga dy (2) euro dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat e dyshuara janë sekuestruar nga njësiti policor për procedura tjera hetimore. Rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia.

Në rastin tjetër, një punonjës i një banke në Prishtinë ka njoftuar se derisa ka qenë duke i numëruar paratë të cilat ishin deponuar në bankomat, ka hasur në një kartëmonedhë në vlerë prej 500 euro, e cila dyshohet se është e falsifikuar.

“Prishtinë 15.08.2021 – 09:40. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se gjatë numërimit të parave të cilat ishin deponuar në bankomat, kishte hasur në një kartëmonedhë në vlerë 500 €, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Njësitet policore, kanë sekuestruar kartëmonedhën në fjalë për procedura hetimore. Rasti vazhdon të hetohet”. Ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.

Ngjashëm ka ndodhur edhe në Lipjan, ku një punonjëse e bankës ka njoftuar se një person ka deponuar një kartëmonedhë në vlerë prej 100 euro, e që dyshohet të jetë e falsifikuar.

“ Lipjan 16.08.2021-14:34. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se në bankomatin e bankës i dyshuari mashkull kosovar ka deponuar një kartëmonedhë në vlerë 100 € e cila  dyshuar të jetë e falsifikuar. Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe ka intervistuar të dyshuarin dhe ankuesen. Është kontaktuar prokurori, kartëmonedha e dyshuar është konfiskuar, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur policia.

(Kosova Sot Online)