Mijëra raste në ditë, MSH vendos që të vazhdohet vaksinimi edhe të shtunave

  • E.K /
  • 17 August 2021 - 19:08
 Mijëra raste në ditë, MSH vendos që të vazhdohet vaksinimi edhe të shtunave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar krerët e institucioneve shëndetësore dhe personat e angazhuar në mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave anti-COVID, me të cilët ka diskutuar rreth masave të reja anti-COVID.

Në takimin e ministrit Vita me hisedarët në zbatimin e masave kundër COVID-19, është diskutuar që të ketë ndryshim të masave anti-COVID, për shkak të rritjes së rasteve pozitive.

Siç merr vesh media, në kuadër të masave të reja vaksinimi nëpër komuna do të vazhdojë edhe të shtunave.

Po ashtu, MSH ka marrë vendim për reduktimin e orarit të gastronomisë dhe mbylljen e klubeve të natës. Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka deklaruar  se nga data 20 gusht, deri më 1 shtator, orari i gastronomisë do të jetë deri në orën 22:30 apo eventualisht deri në orën 23:00.

“Nga data 20 deri më 1 shtator orari i gastronomisë do të jetë deri në 22:30 ose deri në orën 23:00. Sallat e dasmave, hotelet, restorantet, qendrat tregtare dhe restorantet brenda tyre po ashtu. Maksimumi i personave të lejuar në dasma do të jetë 150.”, ka deklaruar Sogojeva.

Sogojeva tha se në dasma do të kërkohet dëshmia e vaksinës, apo testi negativ i COVID-19.

I njëjti tha se nga data 20 gusht, klubet e natës do të mbyllen, derisa tha se nuk është përmendur kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

“Klubet e natës mbyllen nga data 20. Kufizimi i lëvizjes nuk është përmendur.  Ne si Odë duke e parë gjendjen, u pajtuam me këto masa deri më 1 shtator”, ka deklaruar tutje ai.

(Kosova Sot Online)