Kronologjia e krimit në Ferizaj: Nga dhuna në banesë deri te varrimi i viktimës së radhës së burrave

  • A.P /
  • 24 August 2021 - 16:37
Kronologjia e krimit në Ferizaj: Nga dhuna në banesë deri te varrimi i viktimës së radhës së burrave

M.O u vra mizorisht, duke u keqtrajtuar dy ditë rresht. I dyshuar për vrasje është personi që ishte partneri i saj. Fëmija më i madh i familjes O., nga Ferizaj, M., u varros në moshën 18-vjeçare dhe nga aty u bë thirrje që mos vriten vajzat dhe gratë. Prindi i vajzës së ndjerë, pak pas varrimit u shpreh “dhashtë Zoti që kjo të jetë e fundit, jo ndaj vajzës sime por në përgjithësi, mos të na ndodhin më këto raste tragjike”. Pas çdo vrasje të një gruaje, urohet që ajo të jetë viktima e fundit nga burrat. Kjo nuk ndodh.

M.O nuk arriti ta gëzojë moshën madhore. 18-vjeçarja dyshohet se u vra nga partneri i saj 11 vjet më i vjetër, Dardan Krivaqa, pasi i përjetoi dy ditë keqtrajtim mizor. Premtimi i nënës së partnerit të saj, se çifti nuk do të ketë probleme, edhe përkundër faktit se familjes nuk ia lëvduan dhëndrrin për bijën e tyre, u thye pas dy muajsh martesë.

Vëllai i të dyshuarit për vrasjen u distancua nga veprimet e Dardan Krivaqës, që ka dosje të pasur në polici dhe kërkoi dënim meritor për të.

Brenda banesës ku jetonin, 18-vjeçarja qëndroi e mbyllur dhe, sipas prokurorisë, u dhunua fizikisht nga dy meshkuj. Të dyshuarit për vrasje, nuk qëndruan as në spital për të marrë një përgjigje nga mantelbardhët nëse ishte ende e gjallë, por zgjodhën të ikin. Pas dy ditësh në arrati, partneri i të ndjerës u prangos në një fshat të Ferizajt.

Lajmi i parë për tragjedinë e vajzës u dha ditën e diel (22 gusht 2021). Policia informoi se 18-vjeçarja M.O., u soll pa shenja jete nga dy persona të panjohur në Emergjencën e Ferizajt. Menjëherë hetimet u intensifikuan dhe rezultuan me të arrestuarin e parë Arbër Sejdiu, 32-vjeç., me vendbanim të përkoshëm në Zvicër, gjithashtu dyshohet se në ditën kritike kishte shfrytëzuar për ikje veturën e tipit “Audi”, me tabela të shtetit të Zvicrës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu janë emra të njohur për policinë dhe prokurorinë. Madje ky i fundit ka aktakuzë aktive nga viti 2013 për vrasje në tentativë.

Ndërsa, partneri i 18-vjeçares së ndjerë, është recidivist e veprave të ndryshme penale, konfirmoi prokuroria e Ferizajt.

“Personi në fjalë (D.K) është recidivist i veprave të ndryshme penale si “Vjedhje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor” “Kanosje”, “Lëndim i rëndë trupor” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, tha policia.

Përderisa prokuroria zbuloi rolin e Arbër Sejdiut në vrasjen e 18-vjeçares dhe të njëjtit iu caktua një muaj paraburgim për veprën penale “vrasje e rëndë”, Dardan Krivaqa vazhdonte të ndodhej në arrati.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta-gjelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D., për këtë arsye i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”, njoftoi Gjykata Themelore e Ferizajt, kur aprovoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës kishte publikuar fotografinë e Dardan Krivaqës me të dhënat e tij personale, për të kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve në arrestimin e tij. Qytetarët kishin telefonuar policinë, pasi në një lagje të Ferizajt, u pa një person teksa po tentonte të ikte, dyshohej për Dardan Krivaqën.

Teksa kërkimet për të po vazhdonin, para stacionit të Policisë në Ferizaj, po protesohej për vrasjen e 18-vjeçares.

Aty u kërkua të ndalohej dhuna dhe vrasja e grave dhe për neglizhencën e institucioneve karshi rasteve të dhunës dhe vrasjeve ndaj grave.

“Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Mos e normalizoni vrasjen e grave”, “Denim maksimal për Arbër Sejdiun”, ishin disa nga pankartat që gjatë protestes mbanin gratë në duar.

Gjatë protestës, disa nga pjesëmarrësit u hodhën ngjyrë të kuqe policëve që po përkujdeseshin për sigurinë në hyrjen e oborrit të stacionit policor.

Gjatë kohës sa protesohej, në media u dha lajmi për arrestimin e Dardan Krivaqës në një fshat të Ferizajt. Pas rreth dy ditësh në arrati, 29-vjeçari u vu në pranga dhe u dërgua për në stacionin policor.

 

(Kosova Sot Online)