Ish-marinsi britanik kërkon të evakuojë 200 qen dhe mace nga Kabuli

  • A.P /
  • 25 August 2021 - 20:04
Ish-marinsi britanik kërkon të evakuojë 200 qen dhe mace nga Kabuli

Një ish-marins i Flotës Mbretërore Britanike po mundohet të evakuojë rreth 200 qen dhe mace së bashku me stafin e strehës së tij për kafshët nga Afganistani, dhe së fundmi atij i është dhënë shpresë nga sekretari britanik i mbrojtjes.

Paul Farthing, themeloi strehën Nowzaed në Kabul pasi shërbeu në ushtrinë britanike në Afganistan gjatë viteve 2000.

Që prej kolapsit të qeverisë afgane, ai ka nisur fushatën e tij për të evakuuar të gjithë stafin e tij së bashku me familjarët e tyre, si dhe 140 qen dhe 60 mace.

Të hënën, Farthing lajmërojë se qeveria britanike i kishte miratuar vizat e të gjithë stafit të tij së bashku me familjarët – një total prej 68 personash – por evakuimi i kafshëve mbetej ende një pikëpyetje.

Autoritetet insistuan se kafshët do të duhet të liheshin mbrapa duke qenë se qeveria britanike për momentin kishte prioritet evakuimin e njerëzve nga aeroporti i Kabulit.

Të martën, mbështetësit e Nowzad lajmëruan se kishin mbledhur donacione për një çarter privat Airbus A330 – i cili ishte në pritje për të fluturuar drejt Kabulit në mënyrë që të evakuonte të gjithë stafin së bashku me 200 kafshët.

Por, autoritete britanike vazhduan të insistojnë se ky çarter privat vetëm sa do të bllokonte pistën në Kabul, ku situata që kërkon procedimin e mijëra njerëzve që duan të largohen nga Afganistani është ende kritike.

Sidoqoftë, ish-marinsi është shprehur se kafshët do të vendoseshin të gjitha në ngarkesën nën kabinën e avionit, dhe jo në vendet e pasagjerëve.

“Ngarkesa e avionit është bosh – ne i vendosim qentë dhe macet aty!!! Dhe 250 veta qëndrojnë mbi kabinë!” – ka shkruar Farthing në një postim në Twitter.

Pritet të shihet nëse Farthing do të ketë mundësi ta çojë këtë plan deri në fund, por ajo që i ka habitur të gjithë është koha e shkurtër që i është dashur mbështetësve të Farthing, për të mbledhur të gjithë fondet e nevojshme për karterin privat Airbus A330, i cili është në dispozicion të niset drejt Kabulit nga çasti në çast.

(Kosova Sot Online)