“Pas të shtënave me armë zjarri i ndjeri ishte rrokullisur me veturë”, kërkohet paraburgim për shqiptarin e arrestuar dje

  • E.K /
  • 27 August 2021 - 15:09
 “Pas të shtënave me armë zjarri i ndjeri ishte rrokullisur me veturë”, kërkohet paraburgim për shqiptarin e arrestuar dje

Për të pandehurin M.D., sot, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkese për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rendë” dhe “ Armëmbajtje pa leje”.

Ai është arrestuar nën dyshimet për vrasjen e Drejtorit të Agjencisë Pyjore në Deçan, A.Sh, plagosjen e djalit të viktimës R.Sh, dhe plagosjen e S.J., ndodhur në vitin 2000.

Sipas prokurorisë “më 12.11.2000, në fshatin Koshare, Komuna e Gjakovës, D.M., me dashje e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin A.Sh..”.

Dyshohet se gjatë kohës sa kishte të shtëna me armë zjarri në drejtim të tij, viktima po voziste dhe kishte humbur kontrollin e veturës. Me ç’rast vetura ishte rrokullisur disa herë.

“Rasti ka ndodhur derisa i ndjeri ishte duke e drejtuar veturën e tij, përderisa ishte duke u kthyer nga Shqipëria, i pandehuri, ka gjuajtuar me armë disa herë në drejtim të veturës. Nga të shtënat vozitësi e ka humbur kontrollin dhe është rrokullisur vetura disa herë, ku i ndjeri ka vdekur në vendin e ngjarjes, përderisa dy persona të tjerë që ishin në veturë kan marrë lëndime të rënda trupore”, ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Yllka Juniku-Shehu.

M.D., ishte vënë në listën e personave të kërkuar për rastin në fjalë, ndërsa i njëjti merr vesh Express se gjatë arrestimit në prezencë të avokatit ishte mbrojtur në heshtje.

Ai u ndalua dje në pikën kufitare në Morinë.

(Kosova Sot Online)