Sveçla: Policia do të inspektojë personat që figurojnë me virus në listat e IKSHPK-së

  • G.G /
  • 31 August 2021 - 12:48
Sveçla: Policia do të inspektojë personat që figurojnë me virus në listat e IKSHPK-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Policia e Kosovës tashmë do të punojë me orar 12-orësh. Kjo për shkak të shtimit të kontrollit për inspektimin e zbatimit të masave të vendosura kundër virusit Covid-19.

Ai në një konferencë për media tha se do të shtohen inspektimet veçanërisht në hapësira të mbyllura.

“Pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, Policia e Kosovës tashmë  ka kaluar në orar 12-orësh për të shtuar kontrollin dhe mbikëqyrjen rigoroze të respektimit të masave të Qeverisë. Ne si MPB do të sigurohemi që PK-ja të rrisë maksimalisht kontrollet e sidomos në hapësirat e mbyllura, siç janë qendrat tregtare, qendrat e fitnesit gastronomia, apo çfarëdolloj ambienti tjetër të mbyllur”, ka thënë ai.

Më tutje, Sveçla tha se Policia do të monitorojë edhe personat që janë të infektuar me virusin Covid-19, bazuar në listat e IKSHPK-së.

Ai tha se nën mbikëqyrje do të jenë edhe personat që hyjnë në Kosovë dhe që nënshkruajnë deklaratë nën betim se do të vetizolohen.

“Tashmë policia e Kosovës do të bëjë kontrollin e personave të cilët tashmë janë në listën e IKSPK-së si të infektuar , që të sigurojmë që ata të cilët nuk kanë nevojë për trajtim mjekësorë të vetizolohen në shtëpitë e tyre dhe poashtu ata të cilët kthehen në Kosovë dhe të shkruajnë nën betim deklaratën për vetizolim të sigurohemi se ata i përmbahen këtij obligimi”,. Ka thënë më tutje ai.

Ministri dha detaje edhe për procesin e vaksinimit tek zyrtarët policorë.

“Deri më datën 30 gusht 2021, kemi 6807 policë të vaksinuar apo 74.14% prej tyre. Kanë mbetur edhe 2375 zyrtarë policorë. Brenda dy ose tri ditësh do të kemi vaksinim 100% të policëve të Kosovë me dozën e parë”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot Online)