Rrëfimi i infermieres nga Intensiva: Nëna me COVID-19 kërkoi të fliste për herë të fundit me vajzën 3 vjeçe, të nesërmen...

  • G.G /
  • 31 August 2021 - 16:47
Rrëfimi i infermieres nga Intensiva: Nëna me COVID-19 kërkoi të fliste për herë të fundit me vajzën 3 vjeçe, të nesërmen...

Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka folur rreth gjendjes me CoVDI-19 në Kosovë, përkatësisht në klinikën intensive në QKUK.

Ai ka treguar për rrëfimin e një infermiereje të cilës një paciente i ka kërkuar që t`ia thërriste vajzën e saj 3 vjeçare në telefon, në orën 1 pas mesnate.

Me pas Krasniqi tregon se të nesërmen infermierja nuk e kishte gjetur të gjallë nënën e vajzës tre vjeçare.

“Rrëfimi që ta ndalë frymën, i një infermiereje që punon me të sëmurët me covid 19 në Intensive: një nënë e re, po i kërkonte në orën 01 të natës, t’ia thirrte me telefon vajzën 3 vjeçare, që të fliste edhe një herë me të. Ajo nënë e re ishte e bindur se do të vdiste, prandaj donte t’ia ndiente edhe njëherë të vetme zërin vajzës së vet. Infermierja përpiqej ta qetësonte dhe i tregonte se ishte ora 01 pas mesnate, kur fëmija ishte në gjumë. Pas asaj kujdestarie, kur u kthye të nesërmen infermierja në punë, nuk e gjeti aty atë paciente: kishte vdekur vërtet”, shkruan Krasniqi.

Ai thotë se tash infermierja e ka peng që nuk ka mundur t’ia plotësonte atë dëshirë të fundit asaj nëne, që t’ia ndiente zërin vetëm edhe një herë vajzës së saj.

“Këso ngjarjesh të dhimbshme ndodhin për çdo natë e për çdo ditë në klinikat e spitalet tona. Prandaj personeli ynë shëndetësor, krahas faktit që është i dërrmuar nga puna e rëndë, është i tronditur edhe nga ajo që sheh dhe që përjeton në përballje me këtë tragjedi të tmershme. Ato përjetime, dhimbje e kujtime të hidhura, do të jetojnë me ta tërë jetë”, përfundon ai.

Ndryshe, vetëm gjatë 24 orëve të fundit 26 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit CoVID-19.

(Kosova Sot Online)