Franca fillon t’ua japë dozën e tretë të moshuarve dhe personave të ndjeshëm

  • E.K /
  • 01 September 2021 - 15:30
 Franca fillon t’ua japë dozën e tretë të moshuarve dhe personave të ndjeshëm

Franca të mërkurën e nisi vaksinimin e të moshuarve dhe personave të ndjeshëm me dozën e tretë të vaksinës për Covid-19.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” raportoi se një fushatë mbarëkombëtare e vaksinimit do të fillojë më 12 shtator në shtëpitë e kujdesit.

Besohet se rreth18 milionë francezë futen në grupin e personave që i plotësojnë kushtet për dozën e tretë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Personat që e kanë marrë dozën e dytë të vaksinës së kompanive Pfizer ose Moderna së paku gjashtë muaj më parë mund ta marrin dozën e tretë.

Ndërkohë personat që e kanë marrë vaksinën me një dozë të kompanisë Johnson & Johnson mund ta marrin dozën e dytë me vaksinën Pfizer ose Moderna së paku katër javë pasi janë vaksinuar për herë të parë, shkruan The Guardian.

Vendimi për dhënien e dozës së tretë të vaksinës për grupe të caktuara të popullsisë erdhi pasi autoriteti shëndetësor i Francës, HAS, tha muajin e kaluar se studimet tregojnë për një rënie të efikasitetit të vaksinës, sidomos kundër variantit Delta. Më të prekurit nga kjo rënie janë të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

Qeveria franceze ende nuk ka vendosur nëse do ta zgjerojë vaksinimin me dozën e tretë për tërë popullsinë e vendit, 65.6 për qind e së cilës tashmë i ka marrë të dyja dozat.

(Kosova Sot Online)