Blerim Syla: Nuk është zgjidhje mbyllja dyjavore e vendit, Shpend Ahmeti t’i lërë lojërat politike!

  • E.K /
  • 04 September 2021 - 17:41
Blerim Syla: Nuk është zgjidhje mbyllja dyjavore e vendit, Shpend Ahmeti t’i lërë lojërat politike!

Kosova po përballet me një valë të re të Covid-19 ku mbizotërues është varianti ‘Delta’ i cili po shkakton shumë viktima.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë kanë humbur jetën nga Covid, 12 persona si dhe kanë rezultuar pozitivë 1 mijë 278 të tjerë.

Për shkak të situatës së rënduar, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, propozoi mbyllje dyjavore të vendit.

Ahmeti në shkrimin e tij në Facebook theksoi se s’kemi njerëz për të humbur dhe se edhe një viktimë në ditë është shumë.

“Tash është vonë për kozmetikë. Masat si ajo me Shqipërinë vetëm irritojnë dhe nuk janë zgjidhje për këtë situatë.1. Mbyllje dyjavore më e rreptë për ta ngadalësuar përhapjen – me grante për biznese” deklaroi dje Ahmeti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Por ky propozim i Ahmetit po kundërshtohet ashpër nga kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, FSSHK-së, Blerim Syla.

Syla tha për blic se është dashtë më herët të jepen propozime të tilla dhe se nuk i takon Shpend Ahmetit të merret me lojëra të tilla politike.

Ai tha se shkalla e inkubacionit të çdo infeksioni është 21 ditë.

“Jo nuk mendoj se mund ta rregulloj situatën një mbyllje totale e vendit. Jam kundër argumentit të Shpend Ahmetit, sepse këto argumente është dasht më herët t’i japë kryetari i Prishtinës, gjithçka është vonë. Shkalla e inkubacionit të çdo infeksioni është 21 ditë dhe këto lojëra politike më së paku i takojnë Shpend Ahmetit edhe të tjerëve me dhanë kështu deklaratsh”, tha ai.

Ai tutje theksoi se ekspertët shëndetësorë në vend s’duhet të jenë pjesë e politikës, dhe janë ata që duhet të dalin me konkluzione dhe jo Shpend Ahmeti.

“Kishte me qenë e mirë, që ekspertët tanë me në krye me Naser Ramadanin, Lul Rakën etj, të mos jenë pjesë e politikës, që të dalin me konkluzion. Nuk na takon as Shpend Ahmeti dhe as askujt që të japim mendime të tilla. Eshtë kundërshtim i plotë ajo që po thotë zoti Ahmeti” tha Syla.

Numri i vdekjeve nga Covid është rritur ndjeshëm në vendin tonë.

Covid-19 dhe kryesisht varianti ‘Delta’ po prek moshat e reja ç’ka ka për pasojë po i’u sjell edhe vdekjen.

Sot humbi jetën një person i moshës 28 vjeçare, 1 i moshës 30-39 vjeç, 1 i moshës 40-49 vjeç, pesë persona të moshës nga 50-59 vjeç, tre persona të moshës nga 60-69 vjeç, shtatë persona të moshës 70-79 vjeç dhe tre persona mbi 80 vjeç.

(Kosova Sot Online)