Janda: BE-ja duhet ta kushtëzojë Serbinë, kjo është luftë gjeopolitike

  • E.K /
  • 06 September 2021 - 12:06
 Janda: BE-ja duhet ta kushtëzojë Serbinë, kjo është luftë gjeopolitike

Drejtori i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Pragë, Jakub Janda i ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimeve të djeshme në Mal të Zi. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta kushtëzojë Serbinë me ndalimin e financimit në mënyrë që Beogradi ta ndalojë destabilizimin e Malit të Zi.

Janda, ceremoninë e djeshme për shugurimin e kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje të Malit të Zi e konsideron luftë gjeopolitike për interesat e BE-së dhe NATO-s në rajon.

“Udhëheqësit e BE-së duhet t’i thonë Serbisë: Nëse i doni paratë tona, duhet ta ndaloni destabilizimin e Malit të Zi tani. Kjo është luftë gjeopolitike për interesat e BE-së/NATO-s në rajon, ndërsa Rusia është mbrojtësja e Serbisë e cila e do destabilizimin e vendeve anëtare të NATO-s”, ka shkruar ai.

Siç shkroi ai sërish, Serbia po vepron si aleate e Rusisë dhe Kinës, me tb cilat së bashku po organizojnë aksione armiqësore.

“Mali i Zi është aleat i NATO -s. Serbia vepron si aleate e Rusisë dhe Kinës, të dyja organizojnë aksione armiqësore kundër kombeve të NATO-s. Për sa kohë që Serbia i ndihmon armiqtë tanë, duhet të trajtohet si përfaqësuesja i tyre. Financimi masiv i BE-së për Serbinë duhet të vazhdojë vetëm nëse Serbia e ndalon këtë”, shkroi Jakub Janda.

Ai ka kujtuar se Rusia përmes Serbisë kishte dashur ta rrëzonte me dhunë Qeverinë e Malit të Zi dhe ta ndalonte anëtarësimin e tij në NATO.

“Rikujtim: Kur Rusia donte ta përmbyste me dhunë qeverinë e Malit të Zi dhe ta ndalonte të ardhmen e anëtarësimit të tyre në NATO, Rusia e bëri këtë nga Serbia. Serbia është terren i sigurt për agjencitë e inteligjencës ruse të përdorura për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Serbia është në rregull me to”, shkruan gjithashtu drejtori i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Pragë, i njohur për aksivizmin e tij kundër Rusisë dhe Kinës.

Çfarë ndodhi dje në Mal të Zi

Mitropoliti serb Joanikije u shugurua të dielën në mëngjes në kryeqytetin historik fetar të Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimit nga mijëra protestues që për dy ditë rresht i mbajtën të bllokuara rrugët për në Cetinje.

Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku serb, Porfirije arritën në Cetinje me helikopter dhe të shoqëruar nga një njësi speciale e policisë, ndërsa forcat e policisë thyen barrikadat dhe protesta u përshkallëzua në zemër të kryeqytetit malazez dhe nëpër rrugë.

Siç vërehet në një video të “Vecernji novostit” serb, priftërinjtë në manastirin e Certinjes kënduan këngën “Ječam žela”, teksti i së cilës përmban pjesë ku thuhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Ceremonia u parapri nga incidentet në të cilat, sipas të dhënave zyrtare, shtatë policë u plagosën dhe dhjetëra protestues kërkuan ndihmë mjekësore. Po ashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të ciëve edhe këshilltari i sigurisë i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, Veselin Veljoviq.

Shqiptari Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, e ka përkrahur shefin e tij proserb në qasjen ndaj protestave të qytetarëve malazezë kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq tha se sulmi ndaj policisë ishte sulm ndaj shtetit.

Në një reagim të jashtëzakonshëm pas situatës kaotike në Cetinje dhe shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se “vetëm një njeri pa dinjitet do ta lejonte veten të futej në manastirin e Cetinjes me helikopter”.

“Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”, tha presidenti malazez.

Duke komentuar deklaratën e presidentit malazez për aspiratat dhe përpjekjet e Serbisë për ta nënshtruar Malin e Zi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq reagoi duke thënë se Serbia dëshiron marrëdhënie të mira me Malin e Zi dhe se ai nuk do të lejojë që Gjukanoviqi ta sundojë Serbinë. Kreu i shtetit serb i tha po ashtu presidentit të Malit të Zi se “do ta vazhdojë pastrimin”.

“Ne nuk kemi ndërmend ta nënshtrojmë askënd. Por, unë po i them atij se as ju e as askush tjetër nuk do të jeni në gjendje ta sundoni Serbinë, siç keni bërë për 30 vjet. Ju e keni sunduar këtë vend në të gjitha mënyrat e mundshme, përmes krimit, zyrtarëve të policisë, zyrtarëve politikë, atyre në strukturat e inteligjencës”, tha Vuçiq.

“Ne i kemi fshirë ata që punuan kundër Serbisë. Ka më shumë, por ata janë mbetje. Ne do ta vazhdojmë pastrimin. Ju nuk do ta pushtoni Serbinë siç e pushtuat”, deklaroi Vuçiq.

Protestat e fundit tregojnë qartë tensionet në Malin e Zi midis banorëve që i mbrojnë lidhjet e ngushta me Beogradin dhe malazezëve patriotë që e kundërshtojnë këtë.

Mali i Zi u shkëput nga Serbia në vitin 2006, por kisha e saj nuk është bërë autoqefale dhe është nën kujdesin e Kishës Ortodokse Serbe, të cilën kundërshtarët e shohin si simbol të ndikimit të Serbisë në Malin e Zi të pavarur.

Ndërsa Joanikije vlerësoi se akti i shugurimit është politizuar dhe se askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë Kishës Ortodokse Serbe që ta mbajë ceremoninë diku tjetër, protestuesit malazezë e konsiderojnë fyerje dhe provokim që udhëheqësi i Kishës Ortodokse të ulet në fronin e një manastiri ku tradicionalisht ishte malazezi Shën Pjetri i Cetinjes.

(Kosova Sot Online)