Rreth 700 afganë janë strehuar deri tani në Kosovë

  • E.K /
  • 06 September 2021 - 12:42
 Rreth 700 afganë janë strehuar deri tani në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.

Sveçla bëri të ditur se përveç kampit Bechtel-Enka në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, Bondsteel. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.

Ai po ashtu bëri të ditur se sipas planit, ardhja e qytetarëve afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.

Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit, raporton REL.

Ata pritet të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për t’u vendosur përfundimisht në Shtetet e Bashkuara ose në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.

Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht.

(Kosova Sot Online)