Ky vend këtë muaj do ta nisë dhënien e dozës së tretë të vaksinës

  • E.K /
  • 07 September 2021 - 12:26
Ky vend këtë muaj do ta nisë dhënien e dozës së tretë të vaksinës

Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka njoftuar se doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19 do të jetë e gatshme pëër grupet e ndjeshme këtë muaj.

“E kemi dozën e tretë në Itali. Do të fillojmë në shtator me pacientët e ndjeshëm si në onkologji dhe pacientët me transplante”, tha Speranca.

Ai gjithashtu sugjeroi që Italia së shpejti mund ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për të rriturit, siç u la të kuptohet javën e kaluar në një konferencë për gazetarë nga Kryeministri Mario Draghi.

Draghi tha se italianëve mund t’iu bëhet i obligueshëm vaksinimi posa Agjencia Evropiane e Ilaçeve ta japë miratimin e saj të kushtëzuar për katër vaksina, shkruan The Guardian.

Ministri italian i Administratës Publike, Renato Brunetta, tha se nëse vendi nuk e arrin së shpejti shkallën e vaksinimit në 80 deri 90 për qind, qeveria do të miratojë një ligj për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë ata që e kundërshtojnë. “Një vendim do të merret në fund të muajit”, tha ai.

Ndryshe, sipas Agjencisë Kombëtare të Statistikave, jetëgjatësia mesatare në Itali ka rënë për 1.2 vjet vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Italia është e dyta në botë, pas Japonisë, sa i përket përqindjes së popullsisë së moshuar.

(Kosova Sot Online)