Fjalët e fundit në rrjete sociale të dy të vrarëve në Pejë

  • E.K /
  • 09 shtator 2021 - 09:02
 Fjalët e fundit në rrjete sociale të dy të vrarëve në Pejë

Dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës janë vrarë mbrëmë në Pejë. Viktimat janë Astrit Ademaj dhe Blerand Kadriaj.

Kandidati për Kryetar të Pejës nga radhët e PDK’së, Astrit Ademaj, është vrarë mbrëmë në afërsi të Shkollës Ekonomike në këtë qytet.

Pak para vrasjes, ai kishte bërë edhe një postim në Facebook. Përmes një video në këtë rrjet social, ai kishte prezantuar një prej kandidatëve për asamble.

“PDK asnjëherë nuk do të shkëputet nga trashëgimia e saj politike  sepse aty ka qenë dhe mbetet motivi kryesor i ndryshimeve politike dhe institucionale për vendin…”, kishte thënë ai në këtë video.

Image

I vrarë ka mbetur edhe ish-kandidati i PDK’së për Kryetar të Deçanit, Blerand Kadriaj.

Postimi i tij i fundit në Facebook ka qenë më 6 shtator, ku kishte shpërndarë një video në përkrahje të kandidatit të PDK’së për Kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamzës.

Image

Ndryshe, rastin e vrasjes e kanë konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

 “Sot me datë 08.09.2021, rreth orës 20:20, Policia është informuar se në afërsi të shkollës ekonomike Ali Hadri në Pejë, ka të shtëna me armë zjarri, si pasojë e te shtënave 3 persona kanë pësuar lëndime të njëjtit janë dërguar në spitalin Rajonal në Pejë, dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe Prokurori i shtetit, për të kuptuar se si ka ardhur deri te ky rast. Për informata shtesë mund të jepen pas zhvillimit të hetimeve”, tha Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.

(Kosova Sot Online)