Ngushëllime nga rajoni dhe bota për tragjedinë në Tetovë

  • E.K /
  • 09 September 2021 - 09:13
Ngushëllime nga rajoni dhe bota për tragjedinë në Tetovë

Kryetari i Kuvendit të Turqisë, Mustafa Shentop, nëpërmjet rrjeteve sociale reagoi në lidhje me zjarrin që kaploi qendrën për COVID në Tetovë, ku si pasojë fillimisht jetën kanë humbur 10 persona.

“Mësova me pikëllim të thellë se vëllezërit tanë vdiqën në zjarrin që shpërtheu pas shpërthimit në qendrën për COVID në spitalin në Tetovë, Maqedoni e Veriut. Lutem për mëshirë për të vdekurit, ndërsa të plagosurve shërim të shpejtë”, shkroi Shentop në llogarinë e tij në Twitter.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjet, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi për viktimat nga zjarri në Tetovë.

“E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin Covid të Tetovës, ju përcjell ngushëllimet e mia familjeve që humbën më të dashurit, presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe kryetares së Tetovës, Teuta Arifi”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas Presidencës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka shprehur ngushëllime përmes telefonit kryetares Arifi si dhe ka treguar gatishmëri për ndihmë.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar një fotografi nga ngjarja tragjike me mbishkrim “Lutemi për Tetovën”.

(Kosova Sot Online)