Del në sipërfaqe abuzimi i koordinuar i gjyqësorit me ligjin

Del në sipërfaqe abuzimi i koordinuar i gjyqësorit me ligjin

Gani Qarri

  • 09 September 2021 - 07:36

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Gjyqtarët e tillë, zvarritin qëllimshëm dhe pa asnjë arsye të vetme zgjidhjet e lëndëve, akte këto që krijojnë dyshime të bazuara për shitje të rasteve dhe blerje të kohës, deri në zhvlerësimin ligjor në dëm të paditësit dhe në interes së palës së paditur, brenda vet organeve të gjyqësisë së kapur e të kriminalizuar.

Mjerisht siç del edhe nga faktet konkrete, sot e kësaj dite, KGJK-j, vijon ta stimulojë në mënyrë tendencioze sjelljen e pa përgjegjshme të gjyqtarëve të padisiplinuar të cilët kundërligjshëm dhe me shumë hile, vazhdojnë t`ia bëjnë hapur avokatinë krimit të organizuar dhe grupeve të ndryshme të nëntokës kriminale. Rastet më i freskëta të një lojë të tillë perfide të KGJK-së, janë dy vendimet e Këshilli Gjyqësor të Kosovës (KGJK) me të cilat, kinse ne emër të kërkimit të përgjegjësisë për neglizhim, zvarritje, shkelje dhe mos kryerje të detyrave zyrtare, ka gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore gjyqtarët Jashar Gashi dhe Lindita Jakupi. KGJK, në vendimin e parë, ka konstatuar se Jashar Gashi gjyqtar i Gjykatës Themelore të Pejës – Dega në Klinë, ka kryer shkeljen disiplinore për faktin se ai “në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj”, të përcaktuar në nenin 5, paragrafi 2, pika 2.7, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Ndaj referuar arsyetimit në fjalë, kjo shkelje disiplinore nga ana e gjyqtarit Gashi është bërë në rastin e marrjes së aktvendimit P.nr.296/17, mbi kompetencën e gjykatës, një vit pas pranimit të kësaj lënde dhe sipas vlerësimit të KGJK-së, gjyqtari ka dështuar ta trajtoj çështjen, në një afat të arsyeshëm kohor.

Prandaj veprimi i gjyqtarit për inkompetencë një vit pas pranimit të dosjes, kualifikohet si neglizhencë dhe pakujdesi, duke marrë parasysh se lënda ka qenë lëndë e vjetër dhe është dashur të tregohet kujdes i shtuar për trajtimin me kohë të saj. Më tutje, sipas të gjeturave të KGJK-së, gjyqtari Gashi ishte vonuar edhe kur lëndën penale P.nr.296/2017, më datë 29 tetor 2018, Gjykata Themelore në Pejë ja kishte kthyer në rivendosje, ndërsa gjyqtari kishte caktuar shqyrtimin fillestar vetëm më datë 14 tetor 2019, pra pas plot 11 muaj e 15 ditë nga dita e pranimit të lëndës për herë të dytë. Kështu që sipas vlerësimit të KGJK-së, gjyqtari Gashi ka shkaktuar zvarritje të qëllimshme të procedimit të lëndës kontestuese, që ka sjell deri te parashkrimi absolut i kësaj lënde. Po aq skandaloz por me përmasa më të buta “ndëshkimi” ka kaluar nën masën disiplinore edhe gjyqtarja e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Lindita Jakupi, ndaj së cilës KGJK ka konstatuar se e njëjta është përgjegjëse për shkeljet disiplinore të përcaktuara në nenin 5, paragrafi 1, pika 1.2, paragrafi 2, pika 2.5, 2.13 dhe 2.15, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Dhe në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se lidhur me subjektin e hetimit, gjyqtarja ka nxjerr aktvendimin P.nr.4253/12, me parashkrimin e veprës penale, duke zbatuar gabimisht dispozitat e kodit penal, rrethanë të cilën e kishte konfirmuar vet gjyqtarja. Përveç kësaj është konstatuar se gjyqtarja, aktvendimin P.nr.4253/12, ja ka dërguar vetëm Prokurorisë ndërsa të akuzuarit dhe palës së dëmtuar nuk ju ka dorëzuar fare aktvendimin në fjalë, madje sipas KGJK-së, aktvendimi P.nr.4253/12nuk është ruajtur as në dosje të çështjes dhe lënda nuk është dorëzuar si e përfunduar as në administratën e gjykatës. Madje pavarësisht faktit se gjyqtarja ka përfunduar çështjen, e njëjta përsëri ka caktuar seancë për të cilën nuk ka pasur kushte që të mbahet, duke qenë se dosja nuk është dorëzuar si lënde e përfunduar në administratën e gjykatës dhe megjithatë e njëjta lëndë i është ndarë edhe një gjyqtari tjetër, i cili në fakt, ka caktuar seancën gjyqësore, por vetëm pas deklaratës së prokurores së çështjes ka kuptuar se rasti ishte i përfunduar.

Për aq më tepër, në vlerësimin e kësaj sjellje skandaloze të gjyqtares në fjalë, thuhet se mbi bazën e rrethanave të konstatuara në seancën dëgjimore, KGJK, ka vlerësuar se sjelljet e gjyqtares Lindita Jakupi, në rastin konkret, konsiderohen shkelje të rënda disiplinore, siç janë rastet në kur: “shkel ligjin”, “keqpërdor pozitën zyrtare në çfarëdo forme për përfitime të paligjshme për veten ose personat e tjerë ose për qëllime tjera në kundërshtim me ligjin”, “ofron informata të rrejshme e çorientuese në çështjet që ndërlidhen me procedurat disiplinore dhe procedurat administrative gjyqësore, përfshirë ngritjen në detyrë dhe transferimet” dhe “përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës dhe besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit. Por sado që nga argumentimi në të dyja rastet shihet se ka qenë veprim skandaloz i qëllimshëm dhe aspak profesional, KGJK- gjen rrethana lehtësuese, duke vlerësuar se megjithatë masa disiplinore e shqiptuar, si “Vërejtje publike me shkrim” është masë proporcionale në raport me shkeljet skandaloze të bërë nga ana e secilit gjyqtarë veç e veç.

Kështu që habit fakti se edhe nëse nuk ka asnjë rast tjetër të tillë apo të ngjashëm me to, këto dy mostra të fundit të masave disiplinore të KGK-së ndaj gjyqtarëve të pa përgjegjshëm, janë treguesi më i mirë që dëshmon publikisht se si i gjithë funksionimi i sistemit gjyqësor, është tërësisht i kapur dhe i inkriminuar këmbë e krye, ndaj dhe askush, as sot nuk i frikësohet abuzimit me ligjin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".