Brenda repartit COVID-19 në Klinikën e Pediatrisë

  • E.K /
  • 10 shtator 2021 - 08:21
 Brenda repartit COVID-19 në Klinikën e Pediatrisë

Nuk e kishte menduar asnjëherë se djali i saj do të mund të infektohej me COVID-19. Zejnije Jashari kishte menduar se ky virus nuk prek fëmijët.

“Ka pasur temperaturë, dhimbje koke, diarre. E solla te mjeku, më thanë se është me COVID-19. E përjetova shumë rëndë si prind”, thotë ajo.

Tani tre ditë, djali i saj shtatëvjeçar po trajtohet në Klinikën e Pediatrisë, në Prishtinë, në një repart të veçantë për të infektuarit me COVID-19.

Zejnija, nga Komuna e Obiliqit, afër Prishtinës, për asnjë moment nuk largohet nga dhoma. Mban dorën e djalit, teksa ai merr infuzion.

Image

Zejnija duke u kujdesur për fëmijën e saj, të infektuar me koronavirus, në Klinikën e Pediatrisë.

“Po më duhet të kujdesem për të. I kam edhe tre fëmijë në shtëpi – njëri është 1 vjeç e gjysmë. Ata nuk janë të infektuar”, tregon ajo.

Djali thotë se nuk e di se ku ka mundur të infektohet. Zejnija dhe burri i saj janë të vaksinuar, dhe nuk janë infektuar.

Brenda muajit gusht, mbi gjashtëdhjetë fëmijë përfunduan në trajtim spitalor, në Klinikën e Pediatrisë, në Prishtinë, pasi u infektuan nga koronavirusi.

Në repartin e veçantë për të infektuarit me COVID-19, në Klinikën e Pediatrisë, më 8 shtator ishin të shtrirë tre fëmijë.

Image

Dy foshnje, të cilat janë të infektuara me COVID-19.

Në mesin e tyre, edhe një foshnje 6-muajshe, e cila është infektuar nga nëna e saj.

Për të po përkujdeset gjyshja, e cila duket shumë e shqetësuar për shëndetin e mbesës.

Shyhrete Qollaku, nga Prizreni, po qëndron afër mbesës së saj, e cila tani duket se ka tejkaluar rrezikun.

“Tani është më mirë gjendja e saj. Ka pasur temperaturë të lartë, tani nuk ka, është më mirë. Po presim të lirohemi sa më shpejt nga spitali”, thotë ajo.

Image

Shyhretja mban këmbën e mbesës së saj, që është e sëmurë me COVID-19.

Ajo iu bën thirrje të gjithëve, në veçanti nënave, që të respektojnë masat kundër përhapjes së COVID-19, dhe të kenë kujdes.

“Kisha bërë apel, të mos marrin pjesë në tubime ku ka njerëz shumë. Është rrezik, po bartet virusi tek fëmijët. Të mos marrin pjesë në dasma, të mbajnë distancë”, thotë ajo.

Jashtë dhomës, ku po trajtohen fëmijët me koronavirus, shihen mjekë, të cilët janë në vazhdimësi në shërbim të pacientëve.

Image

Mjekë dhe infermierë shihen duke ecur korridoreve të Klinikës së Pediatrisë.

Doktoresha Arlinda Maloku, përgjegjëse për repartin e COVID-19, në Klinikën e Pediatrisë, tregon se aktualisht është një situatë më e qetë. Numri i fëmijëve të shtrirë në spital ka shënuar rënie.

Në këtë Klinikë, tregon ajo, kanë qenë të shtrirë deri në 13 fëmijë, të moshave nga 0 deri në 16 vjeç.

“Nga 1 gushti, deri më tani, në Klinikën e Pediatrisë, reparti COVID-19, janë trajtuar 66 fëmijë të shtirë, kurse raste ambulatore kemi pasur, ata kanë marrë terapi dhe janë liruar. Simptomat që kanë pasur fëmijët e infektuar me COVID janë vjellje, diarre, temperaturë, plogështi”, thotë ajo.

Image

Doktoresha Arlinda Maloku duke e kontrolluar raportin mjekësor të fëmijëve me COVID-19.

Në Kosovë, rritja e numrit të rasteve me koronavirus nisi në mesin e muajit gusht, teksa varianti Delta – që është variant më ngjitës – është bërë variant dominues i koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë raporton se ky variant po prek edhe fëmijët dhe adoleshentët.

Më 9 shtator, 24 fëmijë të grupmoshës 0-9 vjeç janë infektuar me koronavirus.

Image

Reparti COVID-19 në Klinikën e Pediatrisë.

Personat e pavaksinuar janë kryesisht ata që po infektohen me variantin Delta, duke i lënë fëmijët më të rrezikuar ndaj infektimit.

Në Kosovë, personat mbi 16 vjeç mund të imunizohen, ndërkaq vaksinimi për fëmijët e grupmoshës 12-15 vjeç bëhet “me prioritet, dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

Për shkak të rritjes së rasteve të reja dhe të vdekjeve, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të shtyjë nisjen e vitit të ri shkollor 2021/2022, deri më 13 shtator. Personeli arsimor, sipas të dhënave të Ministrisë, është vaksinuar deri në 77 për qind.

(Kosova Sot Online)