I gjendet kufoma e nënës në bodrum, donte t’ia merrte pensionin, s’i tregoi as vëllait

  • E.K /
  • 10 September 2021 - 08:52
 I gjendet kufoma e nënës në bodrum, donte t’ia merrte pensionin, s’i tregoi as vëllait

Një burrë në Austri e mbajti në bodrum për më shumë se një vit kufomën e nënës së vet përderisa vazhdoi t’ia merrte pensionin, njoftoi policia e këtij shteti.

Gruaja 89-vjeçare, për të cilën raportohet se vuante nga demenca, besohet se kishte vdekur nga shkaqe natyrore në qershor të vitit të kaluar, shkruan BBC.

I biri i saj, 66 vjeç, thuhet ta kishte vendosur kufomën në bodrumin e shtëpisë dhe kishte përdorur pako me akull dhe fasha për ta izoluar erën e trupit të pajetë.

Policia beson se i dyshuari mund të ketë përfituar rreth 50 mijë euro nga pensioni i nënës tashmë të ndjerë.

Mashtrimi i këtij burri u zbulua vetëm kur një postieri të ri, i cili e shpërndante pensionin e gruas në rajonin e Tirolit perëndimor, iu refuzua kërkesa për ta parë pensionisten, thuhet në deklaratën e policisë.

Refuzimi i vizitës nxiti hetimi dhe në këtë mënyrë u zbulua mashtrimi i pështirë. Një zyrtar policor tha se i dyshuari nuk kishte të ardhura të tjera dhe u tha autoriteteve se pensioni i nënës do t’i ndalej menjëherë, nëse do ta kishte raportuar vdekjen e saj, duke e lënë pa mundësi për t’i paguar shpenzimet e funeralit.

I dyshuari nuk i kishte treguar as vëllait të vet për vdekjen e nënës, duke i thënë se ajo është duke u mbajtur në spital dhe se nuk ia vlen që ta vizitojë, sepse në gjendjen në të cilën ajo ndodhej, kishte pak gjasa që do ta njihte.

(Kosova Sot Online)