Specialja vazhdon me arrestime të reja?

  • G.G /
  • 13 September 2021 - 10:22
Specialja vazhdon me arrestime të reja?

Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Gjykatës Speciale, erdhi në Kosovë për një vizitë dy ditore dhe tha se vizita e saj ka të bëjë me njoftimin e qytetarëve për misionin e Gjykatës, por ky udhëtim mund të lidhet me një valë të re arrestimesh.

Shqip.com mëson se po bëhen përgatitjet finale për arrestimin edhe të një grupi nga Specialja. Sipas burimeve të mediumit bëhet fjalë për një numër të madh arrestimesh që do të bëhen në vazhdimësi nga Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë.

Arrestimet e para të këtij grupi mund të fillojnë edhe brenda këtij viti, nëse gjithçka shkon sipas planit, ka thënë burimi.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë Policisë së Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës.

Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se “personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”.

Akuzat e grupit të ri që pritet të arrestohet lidhen gjithashtu me pretendime për krime nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Arrestimet e deritanishme, kronologjia

Arrestimet e para nga Gjykata filluan në shtatorin e vitit të kaluar, kur me 24 shtator u arrestua, Salih Mustafa, ish-komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai akuzohet “për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë”.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se “afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”.

Një ditë pas Mustafës, nga Specialja ishin arrestuar krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, por këta për “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gucati e Haradinaj publikonin dokumente të klasifikuara të Gjykatës dhe ato ua kalonin mediave, pasi një person, ende i paidentifikuar, ua linte fshehurazi tek dera e organizatës.

Pas tyre, me 4 nëntor, erdhi edhe arrestimi i ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Ai u paraqit për herë të parë në Dhomat e Specializuara më 9 nëntor.

Në aktakuzën e konfirmuar prokurori i specializuar e akuzon Jakup Krasniqin për “përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave. Sipas saj krime u kryen midis prillit 1998 dhe 1999 në një numër vendosjes në Kosovë dhe Shqipëri”.

Veç një ditë më pas, me 5 nëntor, u erdhi radha arrestimeve të personaliteteve më të rëndësishme të UÇK-së.

Hashim Thaçi, një nga themeluesit dhe udhëheqësi politik i ushtrisë, bashkë me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin u dërguan për në Hagë.

Edhe ata, njëjtë si Krasniqi, akuzohen për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me “ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Dhe arrestimi i fundit – deri tani – ishte ai i Pjetër Shalës, edhe ky ish-komandant i UÇK-së, i cili u arrestua nga autoritetet e Belgjikës dhe me më 15 prill u transferua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar Shalën e akuzon për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”.

Në aktakuzë thuhet se, krimet që paraqiten aty ndodhën në kontekstin e konfliktit të armatosur dhe në lidhje me këtë konflikt në Kosovë midis UÇK-së dhe forcave të RFJ-së dhe Republikës së Serbisë.

Çka është Gjykata Speciale dhe si u themelua?

Specialja ka selinë jashtë Kosovës dhe i tërë stafi është ndërkombëtar, por ajo funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës, të votuar në parlament.

Si arsye se përse gjykata duhej të ishte jashtë Kosovës ishte dhënë nga një komunikatë e lëshuar në vitin 2016.

“Ka mundësi të frikësimit të dëshmitarëve”, thuhej atëherë.

Kjo për arsye se “bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit, në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare, mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatë.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015.

Themelimi kishte ndodhur me shtytjen e bashkësisë ndërkombëtare, por ishte përkrahur nga qeveria e atëhershme.

Kuvendi i Kosovës pati miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për formimin e Gjykatës.

Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Që nga viti 2019, mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje si të dyshuar dhe dëshmitar nga prokuroret e Prokurorisë së Specializuar.

Përveç krerëve të UÇK-së që tashmë janë si të akuzuar në Gjykatë, në cilësinë e të dyshuarit ishte marrë në pyetje edhe ish-komandanti dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

(Kosova Sot Online)