Presidentja e godet opozitën, vazhdon servilitetin ndaj Kurtit

  • E.K /
  • 13 September 2021 - 21:27
 Presidentja e godet opozitën, vazhdon servilitetin ndaj Kurtit

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit më krerët e partive politiken doli para mediave më shumë për të goditur opozitën sesa për të njoftuar se zgjedhjet lokale nuk do të shtyhen.

Teksa presidentja njoftoi se data e zgjedhjeve mbetet ajo që ishte, e njëjta shprehte keqardhje për mospajtimin e partive në opozitë dhe atyre në pushtet lidhur me këtë çështje.

“Për momentin mbetet data e njëjtë në mungesë të plotësimit të standardeve të cilat kërkojnë pajtim në mes të pushtetit dhe opozitës, unë mendoj që është për keqardhje, por ky është vendim i tyre. Do të jenë këto parti që do të bëjnë thirrje për t’i votuar dhe thirrje për të kërkuar mbështetje qytetarë prandaj besoj që do të kërkoni nga ta sqarimet e nevojshme”, tha Osmani.

Tutje Osmani përkujdesej që ta mbronte Insitutin Kombëtar të Shëndetit Publik për rekomandimin e dhënë para disa ditësh për shtyerjen e procesit zgjedhor, duke thënë tërthorazi se ky rekomandim nuk ishte i ndikuar, por se vetë presidenca kishte pyetur eskpertët lidhur me këtë çështje, dhe jo vetëm.

“Para disa ditësh i kam shkruajtur Institutit dhe janë përgjigjur se në bazë të analizave mbajtja e zgjedhje paraqet rrezik për rritjen e rasteve me covid-19, prandaj është rekomanduar që të bëhet shtyerja e procesit zgjedhor deri nmë vlerësimin epidemiologjik të radhës. Një vlerësim është kërkuar edhe për hapjen e shkollave dhe kemi marrë përgjigje edhe për atë cështje”, shtoi ajo.

Ndërkaq, kritikës së opozitës për ftesën e Alternativës dhe Listës “Guxo” në takimin konsultativ me presidenten, Osmani iu është përgjigjur me arrogancë, duke thënë se si e para e vendit vendos kë ta ftojë.

“Përveç këtyre e kam ftuar edhe z. Pacolli, i cili është vetëm një deputet, përveç kësaj janë ftuar të gjitha partitë e përfaqësuara nga pakica. Tek e fundit, si e para vendit, unë vendosi se kë ta ftoj në takimin me mua”, deklaroi ajo.

Osmani kishte thirrur një takim konsultativ me partitë në mënyrë që të diskutohet për shtyrjen e zgjedhjeve, gjithmonë me rekomandimin e IKSHPK’së.

Një ditë pas ftesës së Osmanit për partitë politike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës doli me rekomandim për shtyrjen e zgjedhjeve.

Kështu është konstatuar në letrën që IKSHP-ja i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Në letër thuhet se mbajtja e zgjedhjeve paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.

Me të njëjtin arsyetim, shtyerjen e zgjedhjeve e kërkonin edhe nga partia në pushtet.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte thënë se, po të pyetej ai, zgjedhjet do duhej të shtyheshin për shkak të rritjes së numrit të madh të rasteve me Covid-19.

Nga opozita nuk pajtoheshin me shtyerjen e procesit zgjedhor. Kreu i partisë më të madhe opozitare, Lumir Abdixhiku kishte kërkuar që fushata të shkurtohej, por jo që data e zgjedhjeve të shtyhej.

(Kosova Sot Online)