Andin Hoti reagon pas raportimeve se u largua nga PDK-ja

  • E.K /
  • 15 shtator 2021 - 19:25
 Andin Hoti reagon pas raportimeve se u largua nga PDK-ja

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje e personave të zhdukur, Andin Hoti ka reaguar pas raportimeve se ai është larguar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Hoti i ka quajtur të papranueshme dhe të dëmshme për misionin e tij konfuzionin e shkaktuar ditëve të fundit.

“Që nga marrja e detyrës e kam bërë të qartë dhe po e përsëris prapë sot: Askush dhe me Asgjë nuk do të mund të më ndalë në angazhimin tim për t’i gjetur më të dashurit tanë; babin dhe 1631 të zhdukurit e tjerë me forcë gjatë luftës. Nuk do të heq dorë për asnjë çmim dhe nuk brengosem për qëndrimet apo opinionet politike të askujt”, shkruan Hoti.

Tutje, ai shtoi se reagimet politike dhe fushatat e nxitura kanë pasoja serioze.

“Konfuzioni i shkaktuar ditëve të fundit nga tendencat dhe sulmet e orkestruara që kulmuan mbrëmë me lajmin e “bujshëm” për gjoja largimin tim nga Partia Demokratike e Kosovës, është jo vetëm trazues dhe i papranueshëm, por edhe i dëmshëm për misionin tim human në krye të Komisionit për zbardhjen e fatit të familjarëve tanë që ende na mungojnë. Reagimet politike dhe fushatat e nxitura inatçore duke shtrembëruar të vërtetën, kanë pasoja më serioze se sa dëmtimin tim personal apo kalkulimin e interesave elektorale në prag të fushatës”, shkruan Hoti.

Hoti thotë se sulmet e tilla nuk i bëjnë nder askujt.

“Mirëpo, sulmet e tilla politike dhe qasja joetike e disa medieve me fotografi montazh, nuk i bëjnë nder askujt dhe përtej dëmit personal në këtë rast, po vazhdojnë ta helmojnë në përmasa shqetësuese opinionin publik”, thotë Hoti.

“Duke marrë shkas nga sulmet e ulëta dhe fushata e nxitur denigruese e linçuese, e vlerësova të nevojshme që t’iu drejtohem edhe një herë: E para, për t’i falënderuar të gjithë ata që përmes reagimeve publike i kanë dhënë përgjigjen më të mirë këtyre tendencave, dhe; E dyta, për të shprehur indinjatën e thellë ndaj honxhobonxhëve e shpirtprishurve që u munduan të hedhin baltë mbi ADN-në time, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan Hoti.

Hoti shtoi se “Duke i mirëkuptuar të gjithë ata që në mënyrë të pavetëdijshme më kanë atakuar, fushatat e tilla propagandistike, në vend të bashkëpunimit për të cilin jam angazhuar dhe insistoj me këmbëngulje, vetëm sa do ta vazhdojnë agoninë e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin në ankth të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre”.

(Kosova Sot Online)