Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorin gjerman, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve

  • E.K /
  • 16 September 2021 - 20:29
Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorin gjerman, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve

Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes Gjermanisë dhe Kosovës ishin temë diskutimi në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joen Rohde.

Ky takim me ambasadorin erdhi pas takimit të mbajtur në Tiranë me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, dhe diskutimin për çështje bilaterale dhe regjionale.

“Kryeministri Kurti e vlerësoi vullnetin e shprehur nga kancelarja Merkel për të shtuar bashkëpunimin në rajon, gjithnjë në frymën e integrimeve në Bashkimin Evropian. Po ashtu u bisedua edhe për mbarëvajtjen e mbledhjes së sotme të përbashkët të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Tutje në komunikatë thuhet se kryeministri theksoi se kjo mbledhje e parë është shprehje e gatishmërisë dhe interesimit për të shënuar një fazë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe realizimit të qëllimeve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor si rajon i paqes së qëndrueshme, sigurisë afatgjate, demokracisë dhe zhvillimit socio-ekonomik.

(Kosova Sot Online)