Blinken thotë se Administrata Biden do punojë në zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

  • E.K /
  • 17 September 2021 - 20:45
 Blinken thotë se Administrata Biden do punojë në zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

Sekretari i Shtetit të SHBA’së, Antony Blinken, u zotua se do ta ndihmojë Izraelin të zgjerojë marrëdhëniet me Kosovën dhe shtetet e botës arabe.

Blinken, derisa promovoi mbështetjen e Administratës Binden drejt normalizimit të marrëdhënieve të shteteve të Lindjes së Mesme me Izraelin, përmendi edhe Kosovën që krijoi marrëdhënie diplomatike me shtetin izraelit, raporton MEMO.

“Administrata Biden do të vazhdojë të ndërtohet mbi përpjekjet e suksesshme të administratës së fundit për të vazhduar normalizimin duke ecur përpara dhe do të kërkojë të nxisë përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit me Marokun, me Bahreinin, me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe me Sudanin, i cili gjithashtu ka nënshkruar Marrëveshjet e Abrahamit, si dhe Kosovën, e cila krijoi marrëdhënie diplomatike me Izraelin në fillim të vitit”, deklaroi ai.

“Ne do të inkurajojmë më shumë vende të ndjekin shembullin e Emirateve, Bahreinit dhe Marokut,” tha ai në një ceremoni virtuale me homologët e tij nga ato vende dhe Izraeli. “Ne duam të zgjerojmë rrethin e diplomacisë paqësore, sepse është në interesin e vendeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, që Izraeli të trajtohet si çdo vend tjetër”.

Kosova, përkrah SHBA’së, ka vendosur Ambasadën në Jerusalem të Izrealit në mars të këtij viti, derisa marrëdhëniet diplomatike me vendin i vendosi në fillim të 2021-ës.

(Kosova Sot Online)