Marrëveshja për Asociacionin serb është vula e tradhtisë së Hashim Thaçit kundër shtetit të Kosovës

Marrëveshja për Asociacionin serb është vula e tradhtisë së Hashim Thaçit kundër shtetit të Kosovës
Marrëveshja për Asociacionin serb është vula e tradhtisë së Hashim Thaçit kundër shtetit të Kosovës

Skender Kapiti

  • 17 September 2021 - 07:00

Shkruan:ANALISTI- Skënder Kapiti

Marrëveshjen për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe unë e kam demaskuar te Gazeta kombëtare “Kosova Sot” që kur doli si ide, si një marrëveshje kriminale dhe e një tradhtie të madhe kombëtare të bërë nga ish Presidenti Thaçi me të tjerët, marrëveshje e cila mundësonte formimin e një mini shteti serb brenda Republikës shqiptare të Kosovës. Madje në Librin tim “Triumfi i Kombit” shkruar në vitin 2008 unë kam deklaruar e shkruar në atë libër se : atë se çfarë do t’u jepet shqiptarëve të Kosovës Lindore, aq dhe asgjë më tepër nuk duhet t’u jepet serbëve në Kosovë.

Marrëveshjen e Bashkësisë së Komunave serbe e kanë kundërshtuar edhe shumë opinionistë e analistë të tjerë të cilët i kam lexuar po te Gazeta “Kosova Sot”, te kjo tribunë e promovimit të vlerave të larta patriotike, demokratike dhe politike por e cila fatkeqësish nuk po del më e shkruar në letër. Dhe sot unë e mbështes dhe jam plotësisht dakord edhe me deklarimin e Presidentes së Kosovës znj. Vjosa Osmani se : “Ne nuk do të ndryshojmë kushtetutën apo të lejojmë ndonjë bashkim të qyteteve dhe komunave që do të krijonin një strukturë të pushtetit mono-etnik në vendin tonë. Kjo nuk është as në interesin tonë, as në atë të rajonit apo aleatëve tanë…Nëse lejojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kjo do të ishte vetëm faza paraprake për Serbinë në Republikën Sprska të dytë”.

Pra është për t’u vlerësuar akti i madh kombëtar i zgjedhësve dhe të votuesve në Kosovë të cilët mundësuan që në Kosovë erdhi si kryetare shteti znj. Vjosa Osmani e cila po i shërben aq mirë dhe aq me përgjegjshmëri kombëtare interesit të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar të Kosovës. Uroj që Presidentja e Kosovës të marrë pranë vetes dhe stafit të saj individë me dinjitet, me personalitet dhe me kualitet patriotik e kombëtar, si dhe të vazhdojë e të mbrojë dhe të vlerësojë individët me vlera të larta patriotiko-heroike dhe intelektualo-akademike për të cilat ka aq shumë nevojë politika, demokracia, patriotizmi dhe diplomacia kosovare. Që të ketë sukses Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës duhet që të marrin pranë vetes së tyre personalitete të aftë madje edhe më të zotë se vetja e tyre në fusha respektive, po deshën që ata të kenë sukses dhe jo injorantë, jo puthadorë e servilë dhe as individë me lidhje akrabaje fisi e militantizmi politik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".