Vuçiq: Nëse ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, le të formohet Asociacioni

  • E.K /
  • 23 shtator 2021 - 17:10
Vuçiq: Nëse ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, le të formohet Asociacioni

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Budapesti ku po qëndron për vizitë, duke folur për çështjen e reciprocitetit të targave dhe tensioneve në veri të Kosovës, ka gjuajtur topin te “zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit”.

Ai ka përsëritur kërkesën e shtetit të tij që në Kosovë të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Të hënën, Qeveria e Kosovës vendosi masë reciprociteti për veturat me targa të Serbisë. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Kjo masë ka nxitur serbët në veri të bllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak. Në fakt, Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat duke mos e zbatuar ashtu siç ka qenë në marrëveshjen e Brukselit, për vetëm mbulimin e shkronjave. Me skadimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova nisi zbatimin e reciprocitetit.

“Nëse ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, pres që menaxhmenti të ulet nesër e të nisë me formimin e Asociacionit. Shpresoj se s’do të presim edhe 10 vjet të tjerë”, ka thënë ai nga Budapesti, raportojnë mediat serbe.

Duke folur për situatën në veri, Vuçiq ka shprehur “shqetësimin” për “sulmet e Policisë ndaj tre serbëve”, që më vonë u demantuan nga Policia e Kosovës.

“Qartazi i kemi caktuar kufijtë se deri ku mund t’i durojmë vendimet e shqiptarëve. Besoj në guximin e popullit. Nëse provojnë persekutimin e popullatës sonë, kjo s’do të ndodhë”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)