Si i mbron Gjykata Speciale dëshmitarët që veç ajo i njeh?

  • E.K /
  • 23 September 2021 - 18:28
Si i mbron Gjykata Speciale dëshmitarët që veç ajo i njeh?

Gjykata Speciale sot ka mbajtur konferencën e parë javore për media.

Në këtë konferencë u fol për proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar në Hagë.

Përmes konferencave javore, Gjykata Speciale po planifikon që çdo javë ta informojë publikun dhe mediat rreth ecurisë së proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.

Lidhur me dëshmitarët e mbrojtur që janë duke u dëgjuar, u tha se të njëjtëve u janë dhënë masa mbrojtëse, siç është shtrembërimi i imazhit të fytyrës dhe zërit.

Gjatë kësaj konference u fol edhe për faktin që Salih Mustafa ka vendosur që i njëjti të mos marrë pjesë fizikisht në seancat ndaj tij.

Në konferencë u tha se trupi gjykues e ka udhëzuar Sali Mustafën që të përcjellë seancën në mënyrë virtuale nga paraburgimi.

Po ashtu u bë e qartë se Mustafa ka mundësi që në mënyrë virtuale përmes një linje të veçantë të ketë komunikim të vazhdueshëm me avokatin e tij në mënyrë që ta udhëzoj dhe të konsultohet vazhdimisht me të njëjtin.

Në konferencë u përmend edhe rasti i Hysni Gucatit dhe Nasuf Haradinajt, për çka u tha se trupi gjykues ka nxjerrë vendim, me ç‘rast pritet që gjykimi të fillojë më 7 tetor 2021.

Kurse për rastin e Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tjerë u tha se konferenca e ardhshme statutore do të mbahet në fund të tetorit.

Në Gjykatën Speciale sot është duke vazhduar dhënia e dëshmive nga dëshmitarët në gjykimin ndaj ish eprorit të UÇK-së Sali Mustafa – komandant ‘Cali’.

(Kosova Sot Online)