Presidentët e Kosovës, Malit të Zi e Bosnjës shprehen të shqetësuar për zhvillimet e fundit në rajon

  • E.K /
  • 23 shtator 2021 - 23:39
 Presidentët e Kosovës, Malit të Zi e Bosnjës shprehen të shqetësuar për zhvillimet e fundit në rajon

Presidentët e Kosovës, Malit të Zi dhe ai Bosnje e Hercegovinës, kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit që ndodhën në rajon.

Përmes një komunikate të përbashkët për media nga Presidenca e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani është takuar të enjten me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, në New York, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Presidentët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon dhe gjithashtu qëllimin e përbashkët të tyre për ruajtjen e stabilitetit si parakusht për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të tre presidentët ranë dakord ta vazhdojnë komunikimin dhe dialogun për këtë çështje,” thuhet në komunikatën e ZPRK-së.

Ndryshe, kohët e fundit ka pasur një situatë të tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Po ashtu që disa ditë janë bllokuar pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, mes të Kosovës dhe Serbisë nga protestues serbë të veriut të Kosovës, kjo erdhi si pasojë që Qeveria e Kosovës vendosi të zbatojë masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia që hyjnë në Kosovë.

(Kosova Sot Online)