Doli se ishte hakmarrje: Kina liron dy kanadezët posa Kanadaja e liroi shefen e Huawei-t

  • S.A /
  • 25 September 2021 - 08:52
Doli se ishte hakmarrje: Kina liron dy kanadezët posa Kanadaja e liroi shefen e Huawei-t

Dy shtetas kanadezë janë liruar nga ndalimi në Kinë dhe janë duke u kthyer me aeroplan për në atdhe, bëri të ditur kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau.

Michael Spavor dhe Michael Kovrig më 2018 u akuzuan për spiunazh, pak kohë pasi policia kanadeze pati arrestuar një zyrtare të lartë kineze të kompanisë “Huawei” sipas një fletarrestimi të lëshuar nga ShBA-ja.Një ndër figurat më të larta të kompanisë së njohur kineze, Meng Wanzhou, u largua nga Kanadaja të premten pas arritjes së një marrëveshjeje me prokurorët amerikanë, shkruan BBC.

Këto ndalime kishin shkaktuar tensione diplomatike mes shteteve për disa vjet. Kritikët e kanë akuzuar Kinën për arrestimin e kanadezëve si hakmarrje për arrestimin e kinezes për të përfituar politikisht. Pekini e ka mohuar fuqishëm këtë akuzë.

“Është lajm i mirë për të gjithë ne që ata janë rrugës për në shtëpi, te familjet e tyre. Në 1.000 ditët e kaluara, ata kanë shfaqur fuqi, këmbëngulje, qëndrueshmëri dhe mirësi”, tha Trudeau.

Në gusht të këtij viti, Kina e dënoi kanadezin Michael Spavor me 11 vite burgim për spiunazh, ndërsa për kanadezin tjetër nuk kishte ende ndonjë vendim.

(Kosova Sot Online )