Hungaria s’dorëzohet as në OKB: S’i heqim ligjet tona, BE-ja po na shantazhon

  • E.K /
  • 25 September 2021 - 12:57
 Hungaria s’dorëzohet as në OKB: S’i heqim ligjet tona, BE-ja po na shantazhon

Hungaria duket se nuk ka ndër mend që të zmbrapset nga ligji për ndalimin e përmbajtjeve shkollore që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe kryediplomati hungares në një intervistë për Associated Press.

Në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, në një intervistë për agjencinë e njohur të lajmeve tha se vendi i tij nuk do të lëshojë pe për politikat që e kanë zemëruar BE-në.

Bashkimi Evropian i ka vendosur ndëshkime financiare dhe ka filluar procedura ligjore kundër Hungarisë shkaku i shkeljes së vlerave të bllokut, shkruan Associated Press.

“Ne nuk bëjmë kompromis për këto çështje, sepse jemi vend sovran, komb sovran dhe askush, madje as Komisioni Evropian, nuk duhet të na bëjë shantazh në lidhje me këto politika”, tha Szijjarto.

Kryediplomati hungarez tha se shtyrja e lëshimit të fondeve për rimëkëmbje ekonomike nga Komisioni Evropian shkaku i një ligji hungarez rreth LGBT-së është vendim i pastër politik dhe shantazh.

Sipas tij, ligji i kundërshtuar nga BE-ja ka për qëllim që t’i mbrojë fëmijët nga pedofilët dhe nga “propaganda homoseksuale”. “Nuk do të bëjmë kompromise për të ardhmen e fëmijëve tanë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)