Në Kosovë të vdekurit mund të votojnë edhe në zgjedhjet e 17 tetorit

  • A.P /
  • 26 September 2021 - 17:40
Në Kosovë të  vdekurit mund të votojnë edhe në zgjedhjet e 17 tetorit

Problemi i mospastrimit të listave të votuesve e ka përcjellë Kosovën në të gjitha zgjedhjet e mbajtura deri më sot.

Të vdekurit kanë qenë në lista të votuesve edhe në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, që u mbajtën me 14 shkurt të këtij viti.

Sipas shoqërisë civile, një problem i tillë pritet të jetë edhe në zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), e merr listën përfundimtare të qytetarëve që kanë të drejtë vote nga Agjencia për Regjistrim Civil, 40 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Hyrije Mehmeti nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se duhet të bëhet verifikimi i listave të votimit dhe të gjithë ata që kanë votuar, apo që në këto zgjedhje që janë afër ndodh të votojnë, në vend të personave të vdekur, të ndiqen penalisht.

Sipas saj, gjatë monitorimit të proceseve të kaluara zgjedhore, ka pasur raste kur persona të papërgjegjshëm kanë votuar në emër të të vdekurve.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë monitorimit të zgjedhjeve përgjatë viteve, ka vërejtur që ka pasur shumë raste kur kanë votuar edhe të vdekurit. Edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, IKD ka raportuar për rast ku ka pasur dyshime për identifikimin e personave të vdekur në lista të votimit”,tha Mehmeti për rel.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil, janë duke tentuar që në listën përfundimtare të votuesve, të ketë sa më pak emra të personave të vdekur.

“Atë që kemi kërkuar ne si KQZ dhe jemi pajtuar me Agjencionin për Regjistrimin Civil, është që të pastrohet lista nga personat e vdekur, të pastrohet lista nga personat që kanë hequr dorë nga shtetësia dhe të plotësohet lista me emrat e personave që ditën e zgjedhjeve i mbushin 18 vjeç dhe e fitojnë të drejtën e votës”, tha Kurteshi.

Kurteshi shtoi se ky problem nuk mund të eliminohet tërësisht.

Sipas tij, situata është më e lehtë nga personat që kanë hequr dorë nga shtetësia, sepse ato janë vendime të organeve shtetërore, të cilat dërgojnë të dhënat në Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe hiqen nga lista.

“Me personat e vdekur, unë mendoj se nuk mund të pastrohet absolutisht sepse nuk lajmërohen personat në mënyrë të rregullt dhe në Kosovë nuk ka ndonjë procedurë të rregulluar me ligj që të lajmërohen brenda një kohe shumë të shkurtër personat e vdekur”, tha Kurteshi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se nga lista e votuesve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, janë larguar mbi 18,200 emra që kanë qenë pjesë e listës, e që kanë vdekur.

Po ashtu nga lista janë larguar edhe mbi 1,100 votues për shkak se kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë të drejtë vote 1.885,448 persona.

Kjo shifër është më e madhe sesa vet numri i banorëve në Kosovë. Kjo pasi regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, ka treguar sa banorë jetojnë për momentin në Kosovë, kurse në listën e votuesve janë të gjitha ata kosovarë që jetojnë jashtë, mirëpo ende kanë shtetësi të Kosovës.

Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7,378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15,532 votues.

(Kosova Sot Online)