Zyra e Kryeministrit tregon çka u fol në takimin Kurti – Edi Rama

  • E.K /
  • 27 September 2021 - 14:36
 Zyra e Kryeministrit tregon çka u fol në takimin Kurti – Edi Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot me ceremoni shtetërore, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Rama sot kishte vizitën e parë zyrtare në Kosovë, pas marrjes së mandatit të tretë si Kryeministër i Shqipërisë.

Zyra për informim e Kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se çka është biseduar në takimin Kurti – Rama dhe ministrave të të dyja qeverive.

“Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave dhe anëtarëve të kabineteve, u theksua për mundësitë dhe potencialin për rritje të bashkëpunimit për më shumë drejtësi, barazi e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në të gjithë rajonin. U bisedua për hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve. Janë rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, të nënshkruara nga viti 2014, në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive. U dakorduan për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilin do ta udhëheqë z.Gentian Sala”, thuhet në njoftim.

Tutje, Kryeministria bën me dije se është diskutuar edhe për hapa e projekte që ua lehtësojnë qarkullimin qytetarëve.

“U diskutuan hapa konkret për projekte të përbashkëta të cilat lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, për lehtësira doganore dhe lehtësira në kalimin e pikave kufitare si dhe shfrytëzimit të objekteve të përbashkëta për konsullata e ambasada”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se në takimin e sotëm Kurti dhe Rama janë pajtuar që të fillohet me përgatitjet e dy kabineteve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, që pritet të mbahet në fund të muajit nëntor.

“Në takimin e përbashkët, për çështje konkrete në fushëveprimet e ministrive përkatëse diskutuan ministrat e Kabinetit Qeveritar të Republikës së Kosovës: z.Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z.Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, znj.Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, z.Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z.Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj.Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe znj.Edona Maloku Bërdyna, zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; me ministrat e Kabinetit Qeveritar të Republikës së Shqipërisë: z.Bledar Çuçi, ministër i Punëve të Brendshme. znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj.Evis Kushi, ministre e Arsimit dhe Sportit, znj.Elva Margariti, ministre e Kulturës, znj.Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Pamje nga takimi i sotëm:

(Kosova Sot Online)