Veriu i bllokuar që dhjetë ditë, kështu ishte situata gjatë natës

  • G.G /
  • 29 September 2021 - 09:20
Veriu i bllokuar që dhjetë ditë, kështu ishte situata gjatë natës

Tash e dhjetë ditë, rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, janë të bllokuara nga qytetarët serbë, të cilët po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa, raporton Express.

Ata kanë bllokuar rrugët me kamionë dhe vetura, ndërkohë që kanë vendosur edhe tenda për të qëndruar aty.

Nata e fundit, sipas mediave lokale në veri, ka kaluar pa incidente.

Anëtarët e Njësisë Speciale Operative të Kosovës po qëndrojnë në këto pika, ndërkohë që është shtuar edhe prania e pjesëtarëve të KFOR-it.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia do të takohen sot në Bruksel pas situatës së krijuar në veri.

Ky takim ka ngritur edhe një çështje tjetër diskutimi, nëse zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit amerikan, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në këtë takim.

Kjo, meqë nga Ambasada e SHBA’së në Prishtinë është konfirmuar që ai do të marrë pjesë në diskutime, derisa nga Brukseli kanë thënë se në diskutime janë vetëm tri palë (Kosova, Serbia dhe BE-ja), dhe se të tjerët e mbështesin dialogun vetëm nga jashtë.

Gazeta Express i është drejtuar përsëri Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, për t’i pyetur rreth modaliteteve të pjesëmarrjes së zv.ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, në diskutimet që do të zhvillohen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i kësaj ambasade, në një përgjigje të shkruar për Gazetën Express, ka ripërsëritur se Escobar do të udhetojë drejt Brukselit dhe se mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si palë e interesuar në këto diskutime dhe partnere e Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dy palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime. Përderisa udhëhiqet nga palët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si palë e interesuar në këto diskutime dhe si partnere e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet gjithashtu në përgjigje.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, i pyetur nga  Express rreth pjesëmarrjes së Gabriel Escobar në disktuimet që pritet të mbahen në Bruksel, ka thënë se në dialog janë vetëm tri palë, Kosova, Serbia dhe BE-ja, derisa ka thënë se të tjerët vetëm e mbështesin dialogun nga jashtë.

“Jo, z.Escobar nuk do të jetë prezent në dialog. Dialogu ka 3 pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE’në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano.

(Kosova Sot Online)