Përleshje mes të burgosurve në Ekuador, disave u hiqet koka – 116 të vrarë

  • G.G /
  • 30 September 2021 - 08:54
Përleshje mes të burgosurve në Ekuador, disave u hiqet koka – 116 të vrarë

Ka shkuar në 116 numri i të vrarëve në një përleshje të ashpër mes bandave në njërin prej burgjeve më të mëdha të Ekuadorit, njoftoi presidenti i këtij shteti, Guillermo Lasso.

Njoftimi i tij erdhi pasi autoritetet gjetën më shumë trupa në burg, përfshirë të paktën gjashtë të cilëve u ishte hequr koka, shkruan The Guardian.

80 të burgosur të tjerë u raportuan të kenë pësuar lëndime gjatë përleshjeve që ndodhën të martën në mbrëmje në burgun e provincës Guayas, i cili muajve të fundit ka qenë skenë e luftimeve të përgjakshme mes grupeve kriminale për ta marrë kontrollin në burg.

“Është për keqardhje që grupet kriminale po përpiqen që t’i shndërrojnë burgjet në fushëbetejë për mosmarrëveshjet për pushtet. E lus Zotin që ta bekojë Ekuadorin dhe që ne të mund ta shmangim humbjen e jetës së njerëzve”, tha para gazetarëve presidenti Lasso.

Ai gjithashtu njoftoi se do të japë urdhër për dërgimin e forcave shtesë dhe për ndarjen e më shumë fondeve për ta shmangur përsëritjen e një dhune të ngjashme.

Komandanti i policisë, Fabian Bustos, tha se përmes një operacioni policor e ushtarak është rimarrë kontrolli në burg pas pesë orëve. Ai njoftoi se forcat e sigurisë kanë sekuestruar disa armë.

Gjatë përleshjes së përgjakshme u përdorën armë zjarri, thika dhe shpërthime. Zyrtarët thanë se beteja u zhvillua mes bandave “Los Lobos” dhe “Los Choneros”.

(Kosova Sot Online)