E tërë opozita hungareze bashkohet për ta rrëzuar Orbanin

  • S.A /
  • 30 September 2021 - 11:32
E tërë opozita hungareze bashkohet për ta rrëzuar Orbanin

E tërë opozita hungareze bashkohet për ta rrëzuar Orbanin

Partitë opozitare në Hungari janë bërë bashkë për ta rrëzuar nga pushteti kryeministrin Viktor Orban në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kandidatët brenda opozitës po garojnë mes vete për ta zgjedhur figurën më të përkrahur që do t’i dalë përpara kryeministrit nacionalist.

Klara Dobrev, avokate 49-vjeçare, ka dalë kandidatja më e përkrahur brenda garës së opozitës së bashkuar për të garuar kundër kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Kandidimi i zonjës Dobrev do ta hapte mundësinë që Hungaria të kishte për herë të parë një grua në postin e udhëheqësit të qeverisë. Ajo është në garë të ngushtë me kryetarin majtist të Budapestit, Gergely Karacsony, i cili e ka mposhtur kandidatin e Orbanit në zgjedhjet e vitit 2019 në kryeqytet, shkruan Reuters.

Duke u mbështetur në rezultatet nga rreth gjysma e distrikteve, Klara Dobrev, kandidate e Koalicionit Demokratik majtist për kryeministre, përkrahëse e raporteve më të ngushta me Bashkimin Evropian, është e para me 33.7 për qind, ndërsa Karacsony është i dyti me 29 për qind të votave.

Dobrev, nënkryetare e Parlamentit Evropian, ka premtuar se do ta pakësojë varfërinë dhe do të punojë për futjen e euros në përdorim në Hungari sa më shpejt që është e mundshme. Kundërkandidati i saj brenda garës së opozitës, Karacsony, ka premtuar një sistem më të drejtë të taksave dhe “shërim” të përçarjeve politike.

Një grup prej gjashtë partish, përfshirë Socialistët, partinë Koalicioni Demokratik, liberalët si dhe partinë Jobbik, ka formuar një front të bashkuar kundër Orbanit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2022 për herë të parë që nga ardhja e tij në pushtet më 2010.

“Kam ardhur për të votuar, sepse dua ta rrëzoj këtë qeveri. Kemi një aleancë të pashembullt të të gjitha partive opozitare”, tha në një qendër votimi Tamas Szabo, banor i Budapestit

(Kosova Sot Online )