Berisha: Basha dhe Rama, afera të përbashkëta tek Porti i Durrësit

  • A.P /
  • 30 September 2021 - 14:54
Berisha: Basha dhe Rama, afera të përbashkëta tek Porti i Durrësit

Në “Foltoren” e Durrësit, ish-kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është pyetur ndër të tjera edhë për projektin e Portit të Durrësit. Sali Berisha u shpreh se qyteti bregdetar ka qenë në historinë tonë spiranca perëndimore e kombit shqiptar. Dhe, sipas liderit historik të PD, i tillë do të vijojë të mbetet.

Berisha solli në vëmendje se si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do duhet të konsultohet për çdo port apo aeroport që ndërton pasi janë objekte strategjike.

Duke mos e kursyer ironinë, ish-kryeministri tha se Edi Rama dhe “pengu i tij”  i kanë aferat e përbashkëta tek sipërmarrësi që ka fituar projektin e Portit.

“Ndonëse do të kenë dhimbje të madhe, si Rama dhe pengu i tij, i kanë aferat e përbashkëta te ky sipërmarrësi, porti do të mbetet port i perëndimit.  Ne nuk duhet të luajmë kurrë me identitetin tonë.”

Kurse, duke komentuar “Ballkanin e Hapur”, Berisha theksoi se Bashkimi Evropian ka vendosur Procesin e Berlinit që “ruan vokacionin perëndimor dhe i jep fund hegjemonisë serbe në rajon.”

(Kosova Sot Online)