Dënohet me burgim të përjetshëm polici që vrau një grua

  • A.P /
  • 30 September 2021 - 15:27
Dënohet me burgim të përjetshëm polici që vrau një grua

Një ish-polic britanik është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi të faljes për vrasjen e gruas së quajtur Sarah Everard përderisa ajo ishte duke shkuar në shtëpi në mbrëmje në jug të Londrës. Rasti kishte nxitur protesta kundër dhunës së burrave ndaj grave.

Wayne Couzens, 48 vjeç, i cili shërbente për t’i ruajtur ndërtesat diplomatike, është deklaruar fajtor për vrasje, rrëmbim dhe dhunim seksual, shkruan Reuters.

Ai e kishte përdorur pozitën e tij si polic për ta ndalur dhe rrëmbyer gruan, u tha në gjykatë. Couzens e kishte rrëmbyer viktimën përderisa ajo po kthehej nga shtëpia e miqve në Londër më 3 mars. Trupi i saj ishte gjetur në një pyll rreth 80 kilometra larg vendit të rrëmbimit.

Sipas rezultatit të obduksionit, Everard ka vdekur si rezultat i shtypjes në qafë. Vrasja kishte nxitur reagime të shumta dhe protesta të grave, të cilat kanë rrëfyer për përvojat e tyre dhe frikën për të qëndruar të vetme natën.

Nëna e gruas së vrarë, Susan, në një deklaratë që u lexua në gjykatë tha: “Jeta jonë kurrë më nuk do të jetë e njëjtë. Do të duhej të ishim familje me pesë anëtarë, por tash jemi katër. Vdekja e saj lë një boshllëk të jashtëzakonshëm në jetën tonë që s’mund të mbushet.


(Kosova Sot Online)