Në Gjermani ndërtohen parkingje të rezervuara për homoseksualë dhe imigrantë

  • G.G /
  • 01 October 2021 - 12:09
Në Gjermani ndërtohen parkingje të rezervuara për homoseksualë dhe imigrantë

Një parking veturash në Hanau të Gjermanisë ka ndarë hapësira të veçanta për parkimin e veturave për vozitësit që u përkasin dy komuniteteve të ndjeshme – për homoseksualët dhe imigrantët.

Kompania “Hanauer Parkhaus GmbH” ndërtoi të ashtuquajturat vendparkime diversiteti në një hapësirë nëntokësore në qendrën e qytetit Hanau, shkruan Daily Mail.

Thomas Morlock, drejtor i bordit mbikëqyrës të kompanisë dhe anëtar i këshillit lokal, tha gjatë inaugurimit të vendparkingjeve se qëllimi është që të ndihmohen njerëzit që ndiejnë “nevojë të veçantë për mbrojtje”.

Nuk është menjëherë e qartë se si autoritetet synojnë të vëzhgojnë nëse njerëzit që i parkojnë veturat në këto vendparkingje janë imigrantë apo pjesë e komunitetit LGBT, ndonëse kompania tha se në parking do të vendoset një kamerë.

Hanau, qytet i vogël rreth 25 kilometra në lindje të Frankfurtit, për një kohë të gjatë është vlerësuar si qytet i diversitetit në Gjermani dhe popullsia e tij ka qenë me diversitet të pasur edhe para krizës së imigrantëve më 2015.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale për Statistika, në vitin 2018 në Gjermani kanë qenë duke jetuar 1.8 milion njerëz me të kaluar refugjate.

(Kosova Sot Online)